Arbëri

Reagon KGJK-ja pas skandalit të përgjimeve: Po përcjellim me vëmendjen situatën

Descriptive Text

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka reaguar ndaj përgjimeve të publikuara në media ditëve të fundit. Përgjimet kanë çuar të martën në shkarkimin drejtorit të Njësisë për Inteligjencë Financiare, Dardan Nuhiu.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), po ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit lidhur me publikimet e përgjimeve nga Gazeta Shqip, nga data 30 korrik 2021, rreth bisedave telefonike të regjistruara në mes të subjekteve të ndryshme, ku përfshihet edhe një anëtar i KGjK-së”, thuhet në komunikatë.

KGJK-ja ka thënë se do të veprojë sipas procedurave dhe afateve që përcaktohen me rregulloren për procedurën disiplinore të anëtarëve të KGjK-së.

“Andaj, në pajtueshmëri me përgjegjësitë ligjore që ka ky Këshill, do të vazhdoj të përcjell situatën dhe do të veproj sipas procedurave dhe afateve që përcaktohen me Rregulloren për Procedurën Disiplinore të anëtarëve të KGjK-së”, thuhet në komunikatë.

Lidhur me përgjimet Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar sot konferencë për media me fillim në ora 15:30.