Arbëri

Njerëz të Vetëvendosjes, në përbërjen e Bordit që Qeveria ia propozoi Kuvendit

Qeveria e Kosovës ia ka propozuar Kuvendit përbërjen e re të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në të cilin ka përfshirë së paku 3 personalitete të partive në pushtet.

Kryeministri Albin Kurti, i cili e ka prezantuar listën e të propozuarve para anëtarëve të kabinetit qeveritar, paralajmëroi se kjo përbërje do të ketë mandat që ta shuajë AKP-në dhe ta transformojë atë në agjenci brenda Qeverisë.

“Ky le të jetë Bordi i fundit i AKP-së, në mënyrë që të hapim një etapë zhvillimore në Republikën e Kosovës, drejt Fondit Sovran, Agjencisë e Bankës Zhvillimore dhe në këtë mënyrë tjetërsimet abuzive që janë bërë në të kaluarën, duke përfshirë aty vrasjen enigmatike, vdekjen enigmatike të ish-kreut të AKP-së, të jenë një periudhë që e tejkalon Kosova e pavarur”, ka deklaruar Kurti.

Të propozuarit e Qeverisë për anëtarë të Bordit të AKP-së janë: Nazmi Mikollovci, Suzana Dautaj, Mentor Hyseni, Vjollca Jashari, Violeta Arifi Krasniqi, Xhevdet Neziraj, Halim Muqolli dhe Avni Ajdini.

Nazm Mikullovci, që u propozua për kryesues, është anëtar i Vetëvendosjes. Ai ka qenë kandidat për deputet dhe kryesues i Komitetit për Industri i kësaj partie.

Dy vjet më parë, në Vetëvendosje ishte anëtarësuar edhe Mentor Hyseni dhe kishte garuar për deputet.

E, Xhevdet Neziraj ishte deputet i IRDK-së, parti kjo egjiptiane që tash drejtohet nga ministri Elbert Krasniqi.

LDK-ja në opozitë ka reaguar pas publikimit të emrave.

“Logjika e politizimit të të gjitha sferave të qeverisjes, nëpërmjet kapjes së hises me militantë partiakë, përveçse është e paligjshme është edhe moralisht e gabuar. Një praktikë e tillë ndaj agjencive ligjërisht të pavarura është praktikë tashmë e zakonshme e Qeverisë populiste që kapjen dhe nepotizmin i kanë shndërruar në kauzë”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Kryeministri Kurti ka thënë se nga kjo përbërje pret që t’i marrë masat për të ndaluar procese privatizimi, sipas kërkesës së Qeverisë.

“Është tashmë fakt i njohur se jo vetëm procesi i privatizimit ka paraqitur problem në shumë nivele. Së pari në qasje e në koncept. Së dyti në mënyrën se si është vepruar e manipuluar me jo pak raste që janë vërejtur nga vendimet ndër vite të Agjencisë dhe të cilat janë paraqitur gjatë punës së komisioneve hetimore parlamentare”, ka shtuar Kurti.

Vetëvendosje vazhdimisht ka kritikuar procesin e privatizimit.

Në programin qeverisës ajo ka paraparë shuarjen e AKP-së, me anë të transferimit të saj në agjenci brenda Qeverisë. E, krahas kësaj, ka planifikuar ta krijojë Fondi Sovran, për t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Kosovë, e edhe të themelojë Agjencinë dhe Bankën Zhvillimore.