Arbëri

RrGK: Barazia gjinore është obligim ligjor në zgjedhjet lokale

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka shprehur shqetësimin se nga kandidatët e zyrtarizuar deri më tash për kryetar në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, shumë pak janë gra.

RrGK thotë se barazia gjinore është obligim ligjor.

“Është shqetësuese që nga kandidatët e zyrtarizuar deri më tani, gratë mbesin shumë pak të përfshira në listat zgjedhore të partive politike. RrGK vlerëson përpjekjet e disa partive për të kandiduar gra në garën për zgjedhje lokale. Sidoqoftë, përzgjedhja e deritanishme e shumicës së kandidatëve burra për kryetar/e të komunave është jashtëzakonisht problematike. Kjo praktikë e ndjekur nga partitë politike është duke pamundësuar përfshirjen e grave në jetën publike dhe ndërtimin e një shoqërie më të barabartë. RrGK ua rikujton partive politike të Kosovës se neni 14 i Ligjit për Barazi Gjinore (LBGJ) i obligon ato që të zbatojnë masat për promovimin e pjesëmarrjes së barabartë të burrave dhe grave në organet dhe trupat e partive, në pajtim me dispozitat e nenit 6 të këtij ligji - i cili përcakton qartë se në ato raste kur ekzistojnë pabarazitë, duhet të merren masa të veçanta të përkohshme me qëllim të përshpejtimit të realizimit të barazisë faktike ndërmjet grave dhe burrave në ato fusha ku ekzistojnë pabarazi. Prandaj, është e domosdoshme që të respektohet ky ligj dhe të krijohen kushtet që gratë të kenë mundësi që në mënyrë të barabartë me burrat të marrin pjesë në proceset vendimmarrëse”, thuhet nga RrGK-ja.

Rrjeti i Grave ka thënë se në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit është parë pjesëmarrje më e madhe e grave në procesin zgjedhore dhe rritje e numrit të grave në përfaqësim politik.

“Përmes votës, qytetarët treguan që duan më shumë gra në pozita udhëheqëse andaj partitë politike, përveç respektimit të LBGJ, e kanë për obligim që ta respektojnë këtë vullnet dhe të ofrojnë më shumë hapësirë për gratë në zgjedhje lokale. Teksa afatet po ngushtohen dhe brenda partive ende po diskutohet për kandidaturat e mundshme, RrGK edhe njëherë u bën thirrje të gjitha partive politike që të kandidojnë sa më shumë gra për kryetare të komunave në zgjedhjet lokale dhe t’i përmbahen standardit të përfaqësimit minimal prej pesëdhjetë për qind (50%) në pajtim me kushtet e parapara me Ligjin për Barazi Gjinore. Ne kërkojmë që partitë politike të angazhohen për të ofruar hapësirë për gratë në këto zgjedhje lokale duke krijuar mundësi për përfshirje në përfaqësim politik edhe të grave me aftësi të kufizuara, grave rome, ashkalike, egjiptiane, gorane dhe serbe të cilat nuk janë të përfaqësuara fare. Gratë kanë nevoja dhe ide të ndryshme, dhe për një udhëheqje gjithëpërfshirëse, është e domosdoshme përfaqësimi i tyre në organet vendimmarrëse. Ua rikujtojmë partive politike në Kosovë se përfshirja e grave në proceset vendimmarrëse është një hap i rëndësishëm në përpjekjen për të ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe të barabartë”, thuhet nga RrGK-ja.