2 perditesime
11:12

Telekomi ende paguan nga 1.9 milionë euro për shfrytëzim të kodit të Monakos

U.D. e kryeshefes së Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, ka thënë se kodi shtetëror nuk është duke u implementuar dhe se po duhet të paguhet çdo vit Telekomi i Monakos për shfrytëzim të kodit.

Hana në Komisionin për Mbikëqyrje të Financave ka thënë se për këtë do të duhej të kishin informacione edhe deputetët. Ajo ka thënë se shifra që po paguhet është 1.9 milionë euro në vit.

Kryetarja e Komisionit Hykmete Bajrami ka thënë se nuk ka pasur informacione dhe se zyrtarët e Telekomit nuk kanë treguar për këtë. Sipas saj edhe për roaming thonë se është hequr, ndërsa ekspertët kanë thënë se nuk është hequr vetëm janë bërë lirime të pagesave.

Deputeti Enver Haliti ka thënë se e ka ditur se kodi nuk është duke u implementuar dhe se Telekomi po paguan 1.9 milionë euro në vit dhe duhen 3.2 milionë euro investime për realizimin e kodit shtetëror.

10:53

Telekomi i ka 8 milionë euro borxh ARKEP-it, nuk ka mundësi t'ia paguajë

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, që është edhe kryesuese e Komsionit për Mbikëqyrje të Financave ka thënë se ka pakënaqësi edhe nga qytetarët për shërbime të Telekomit.

Ajo ka pyetur pse ekziston ende shërbimi me kartela për mbushjen e telefonit. Ka pyetur edhe për kontrata fiktive dhe se a janë adresuar këto çështje.

Për këtë u.d. e kryeshefes, Burbuqe Hana ka thënë se zyra e auditorit të brendshëm i raporton Bordit dhe ai nuk e ka pasur të arsyeshme të ndryshojë.

Ka thënë se janë realizuar 5 auditime, nga tetë sa janë paraparë.

Për ARKEP-in ka thënë se kanë qenë në takim dhe është diskutuar për zbatimin e kodit shtetëror dhe të borxheve të akumuluara.

Ka thënë se kanë borxhe ndaj këtij institucioni në vlerë prej 8 milionë euro dhe se aktualisht nuk kanë mundësi që ta paguajnë.

10:31

Rrahmani: Telekomi i ka ende mbi 17 milionë euro borxh “Dardafone.net”

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave po e shqyrton Raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Kompanisë “Telekomi i Kosovës” sh.a., për vitin 2020.

Deputeti Eman Rrahmani nga Vetëvendosje ka shpalosur gjetjet për vitin 2020 në këtë ndërmarrje.

Ai ka thënë se 17,281,142 euro është borxhi i mbetur i Telekomit të Kosovës ndaj Dardafone.net, sipas marrëveshjes për pagesën e borxhit në procedurën e përmbarimit.

Ky borxh do të paguhet me këste mujore prej 720,048 eurove, duke shtuar edhe 7 për qind kamatë vjetore dhe shpenzimet e përmbarimit.

Deputeti Rrahmani ka përmendur edhe borxhin që Telekomi ka ndaj ARKEP-it e që rrezikon edhe me tërheqjen e licencës.

Sipas tij, Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se për 84 pozita në Telekomin e Kosovës ku punonjësit nuk paguhen njëjtë edhe pse kanë grada të njëjta për pozitën e njëjtë. Ka përmendur ngecjet në zbatimin e kodit shtetëror.

Gjatë shpalosjes së raportit ka përmendur edhe parregullsi të tjera që janë evidentuar në raport.

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave, Hykmete Bajrami ka kërkuar sqarime të planit për adresimin e gjetjeve të Auditorit pasi siç ka thënë një pjesë e madhe e gjetjeve nuk janë adresuar dhe janë të përsëritura.