Arbëri

Sveçla: Po punojmë për të shuar zjarret, janë arrestuar dy persona

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka folur për vatrat e zjarreve në Kosovë, ndërsa ka thënë se po bëhet çdo gjë e mundur për të shuar zjarret.

Ai ka treguar se dje janë arrestuar dy persona, për zjarrvënie të qëllimshme. Ai ka treguar se vetëm gjatë të hënës ka pasur vatra aktive në Suharekë, Gjakovë, Prizren, Pejë, Malishevë, Artanë, Mitrovicë të Veriut,

“Që nga e premtja zjarret kanë kapluar disa lokacione në komuna të ndryshme të Republikës së Kosovës. Me këtë rast, Ministria e Punëve të Brendshme ka aktivizuar menjëherë Qendrën Operative e cila aktualisht është duke koordinuar të gjitha veprimet e ekipeve reaguese në terren. Zjarrfikësit, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë, pjesëtarët e Policisë së Kosovës mbështetur edhe nga KFOR-i janë duke punuar me kapacitete të plota për të shuar vatrat e zjarrit, duke bërë çmos për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve në këto lokacione. Vetëm dje gjatë ditës, kemi pasur vatra aktive të zjarrit në këto komuna:

• Suharekë: Bukosh, Krushicë, Gjinovc, Reqan, Shirokë, Dubravë dhe Vraniq

• Gjakovës: Nec dhe Babaj të Bokës

• Prizren: bjeshkët e Oshllakut

• Pejë: Shtupeq

• Malishevë: Kravasari

• Artanë: Parallovë

• Mitrovicë e Veriut: Kushtovë e Vllahisë

• Zveqan: Rudinë

• Zubin Potok:Bube

• Fushë Kosovë: Kozmin

Është shumë me rëndësi të theksoj se përkundër temperaturave të larta ne kemi hasur raste të zjarrvënies së qëllimshme nga disa qytetarë të pandërgjegjshëm, për çka policia e Kosovës tashmë ka arrestuar dy persona, ndërsa po vazhdon hetimin edhe për raste tjera të dyshimta. Mobilizimi i të gjitha institucioneve tona nuk do të jetë i mjaftueshëm në këto situata nëse mungon përgjegjësia qytetare. Prandaj, ju bëjë thirrje qytetarëve të Kosovës që të kenë kujdesin maksimal, që në asnjë rast dhe rrethanë të mos të ndezin zjarre, përndryshe ne do të jemi të pa-kompromis ndaj sjelljeve të tyre të cilat po shkaktojnë rrezik të përgjithshëm”, ka shkruar ministri Sveçla në Facebook.