Arbëri

Lekaj dorëzon padi ndaj zv.ministrit Durmishi

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka dorëzuar padi për shpifje dhe fyerje ndaj zv/ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Lekaj e ka bërë të ditur këtë nëpërmjet një postimi në Facebook.

“Sot e dorëzova padinë kundër fyerjeve dhe shpifjeve të zëvendësministrit të MMPHI-së, H. Durmishit, i cili në një emision televiziv më quajti mua dhe bashkëpunëtorët e mi gjatë mandatit tim si ministër, si një "grup kriminal". Janë mësuar tani e një kohë të gjatë të vjellin vrerë, me fyerje e shpifje të paskrupullta kundër meje, kudo që kanë pasur mundësi. Bile me këto janë krekosur para popullit edhe si guximtar, duke u fshehur prapa imunitetit që ofron ligji kundër fyerjes dhe shpifjes për gjithë ato që fliten në Kuvend dhe në komisione parlamentare nga kushdoqoftë. Duke e parë se mosreagimi im po e nxitë edhe më shumë shpifjen dhe fyerjen kundër meje, vendosa që t'i drejtohem gjykatës. Aty duhet të tregojnë fakte për vërtetësinë e deklaratave të tyre. Tani e tutje, ose duhet ta rrudhin gojën ose do t'ju rrudhet xhepi”, ka shkruar Lekaj.