Arbëri

Dhjetëra mijëra gjoba për “parkim të parregullt” nuk i lirojnë trotuaret

Në gjashtë muajt e parë të këtij viti policia ka ndarë mbi 42.000 gjoba për shoferët apo pronarët e veturave që janë parkuar në vendet e rezervuara për këmbësorë. Qytetarët ankohen se policia më shumë është e përqendruar në qendër të qytetit, derisa periferinë e lë pas dore

Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, në nivel vendi janё dhënë 42.335 gjoba pёr shoferët që i kanë parkuar veturat e tyre në trotuare. Megjithëkëtë, qytetarët e kanë shpeshherë të pamundur të ecin lirshëm në trotuare. Ato vazhdojnë të jenë të bllokuara nga veturat, pronarët e të cilave shpesh shpëtojnë pa gjobë.

“Në bazë të nenit 93, paragrafi 2 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor nr.05/L-088, Policia në rastet kur shoferi nuk është prezent, shfrytëzon të dhënat nga Qendra e Regjistrimit të Automjeteve (QRA) për marrjen e masave ndaj pronarit të mjetit ku edhe njoftohet me formën për paraqitje obligative në stacionin e policisë/njësisë”, kanë bërë të ditur zyrtarët e Policisë së Kosovës nëpërmjet një përgjigjeje.

Sipas Policisë, në vazhdimësi shqyrtohen ankesat e qytetarëve në lidhje me parkimet e parregullta, tё cilёt po e bëjnë tё pamundur ecjen nёpёr trotuare.

Ndërkohë, qytetarët kanë kritikuar Policinë e Kosovës duke thënë se ky institucion nuk po e patrullon mjaftueshëm periferinë e Prishtinës, ashtu siç ndodh në qendrën e saj.

“Policia mё tepёr ёshtё e përqendruar kёtu nga qendra, nё periferi s’dalin kurrё. Ёshtё tmerr, po them jo periferi, por prej shkollёs, prej gjimnazit deri nё Kolovicё tё Re ёshtё katastrofë, kёta kёtu veç pak sillen, i kontrollojnё, e atje nuk dalin”, ka treguar Adem Veseli, banor në periferi të Prishtinës.

Kohëve të fundit qytetarët kanë nisur që pakёnaqёsitё e tyre t’i shprehin në një mënyrë tjetër – duke “denoncuar” rastet nёpёrmjet rrjeteve sociale. Policia deri më tash, në disa raste është bazuar në këto postime, për t’i gjobitur shoferët.

E sipas Ligjit pёr Rregullat e Trafikut Rrugor, shoferi i automjetit mund të parkohet në trotuar vetëm kur ka leje nga Komuna, por me kushtin që të lihet hapësirë e mjaftueshme për qarkullim të këmbësorëve.

“Komuna mund të lejojë shfrytëzimin e pjesës së trotuarit me rrethojë, vendosje të tavolinave, ulëseve, qoshqeve ose të ngjashme, me kusht që nuk kufizohet ose pengohet fushëpamja e rrugës dhe që lëvizja e këmbësorëve të jetë e papenguar dhe e sigurt, duke lënë hapësirë të trotuarit me gjerësi prej së paku 1.6 metra. Për rrugët nacionale dhe regjionale leja në fjalë mund të jepet vetëm me pëlqimin paraprak të ministrisë përkatëse”, shkruan në nenin 35 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.

Sipas informacioneve të Policisë së Kosovës, vitin e kaluar janë administruar 65.339 dënime për “parkim të parregullt”. Me këtë rritëm ky vit do të shënojë shifër më të madh të gjobave, pasi vetëm për gjashtë muajt e parë janë administruar mbi 42.000 gjoba.