Arbëri

Të dielën, pritjet në Merdar nuk e kaluan 20-minutëshin

 E shtuna me të dielën kishin dallim të madh sa u përket pritjeve për të hyrë nga Serbia në Kosovë përmes pikës kufitare në Merdar. Të shtunën u raportua se pritjet ishin deri në 4 orë, kurse të dielën 15 deri në 20 minuta. Bashkatdhetarët që të dielën mbërritën në Kosovë u ankuan se pritjet më të mëdha i shënuan në kufij të tjerë, sidomos në atë Hungari-Serbi

Gjendje shumë më e qetë dukej të dielën në pikëkalimin kufitar në Merdar, një ditë pasi u raportua për kolona e pritje të gjata në të dyja anët e kufirit.

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, në mëngjesin e së dielës pritjet më të gjata ishin mes 15 e 20 minuta.

Kjo kohë duhej për t’u futur në Kosovë, kurse për t’u larguar nga Kosova në drejtim të Serbisë, duheshin mesatarisht pesë minuta pritje.

E bashkatdhetarët që po hynin të dielën në Kosovë ankoheshin për pritjet nëpër kufijtë e tjerë, sidomos atë ndërmjet Hungarisë e Serbisë.

“Në orën 3:00 të mëngjesit dje jam nisur e sot në orën 11:16 kemi ardhur në Kosovë. Shumë ka qenë e mundimshme rruga në Austri, Gjermani, komplet Austria. Në Slloveni pak, e në Serbi më shumë, në Serbi kemi pritur shumë”, u shpreh Avdyl Shasivari për KOHËN.

Astrit Bekaj tregon se po ashtu ka pritur shumë nëpër kufij, por thotë se kjo harrohet kur shkel në Kosovë.

“Nja 4 orë, në Hungari se këtu jo, pak, normal. Por harrohen krejt kur vijmë në Kosovë”, tha Bekaj.
E Nëntor Duraku është befasuar për të mirë me pritjen e shkurtër në pikën kufitare Serbi–Kosovë.

“Nuk pati kolonë, gjithmonë kemi pritur deri 8 orë, por sot jam befasuar pasi vetëm 10 vetura ishin para meje”, ka deklaruar Duraku.
Ndërkohë, Avni Hotit i ka pëlqyer heqja e tarifës prej 15 eurosh nga Qeveria e Kosovës. Kjo tarifë kishte të bënte me sigurimin e veturës për kohë të caktuar.
“Jemi shumë të kënaqur që jemi këtu, shumë mirë, edhe sigurimi pa para”, ka thënë Hoti.

Të shtunën u raportua se bashkatdhetarët kanë pritur deri në katër orë për t’u futur në Kosovë shkaku i kolonës së gjatë që ishte krijuar në anën serbe. Për këtë, nga bashkatdhetarët u kërkua që në vend të pikëkalimit kufitar në Merdar të përdoreshin pikat e tjera kufitare, si ajo e Mutivodës dhe ajo e Jarinjës.

Në pikën kufitare Dheu i Bardhë, sipas QKMK-së, pritjet të dielën për të hyrë në Kosovë ishin pak më të gjata – deri në 90 minuta.