Arbëri

Pensionet për të vdekurit arsyetohen me situatën e pandemisë

Descriptive Text

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka bërë pagesa në mënyrë të kundërligjshme gjatë vitit të kaluar, duke dëmtuar buxhetin për mbi 1 milion e 450 mijë euro. Zyra Kombëtare e Auditimit ka vërejtur se nga kjo ministri kishin përfituar asistencë sociale edhe personat e punësuar, gjë që është në kundërshtim me ligjet në fuqi. Janë gjetur edhe shkelje të tjera, por janë dhënë edhe arsyetime

Mbi 1 milion e 450 mijë euro është dëmtuar buxheti i shtetit vitin e kaluar me pagesa të jashtëligjshme për skema sociale dhe pensionale.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale kishte vazhduar që të ndante pensione për përfituesit edhe pas vdekjes së tyre dhe ka dhënë pagesa të asistencës sociale edhe për persona të punësuar. Buxheti është dëmtuar edhe nga pensionet e dyfishta.

Për subvencione dhe transfere gjatë vitit 2020 janë shpenzuar 547 milionë e 912 mijë euro. Por, Zyra Kombëtare e Auditimit gjatë kontrollimit të pasqyrave financiare ka identifikuar se mbi 1 milion e 451 mijë euro janë paguar jashtë kritereve të përcaktuara ligjore dhe pa një bazë të qartë ligjore.

Sipas raportit është vërejtur se ekzistojnë raste të përfitimit të pensioneve apo ndihmave sociale nga persona të cilët punojnë apo realizojnë të ardhura pensionale.

Sipas Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, pensionet e përkohshme nga “Trepça” ndërpriten së paguari nëse personi punësohet apo vetëpunësohet.

Edhe me Ligjin për veteranët e UÇK-së thuhet se ata të cilët janë të punësuar në sektorin publik dhe privat nuk kanë të drejtë të përfitimit të pensionit, si dhe sipas nenit 4.4 të Ligjit Nr.04/L-096 për skemën e ndihmës sociale, ndalohet e drejta për ndihmë sociale për persona të punësuar. Sipas ligjeve përkatëse të skemave pensionale dhe rregullave të aplikueshme, pensionet duhet të ndalen pas vdekjes së përfituesve.

Por Ministria kishte bërë pagesa të tilla në vlerë prej 252 mijë e 478 eurosh.

Për ndihma sociale ishin bërë 356 pagesa në vlerë prej 61 mijë e 695 eurosh. Për pensionet e “Trepçës” ishin bërë 134 pagesa në vlerë prej 16 mijë e 884 eurosh, ndërsa për veteranët ishin bërë 1.001 pagesa në vlerë prej 175 mijë e 899 eurosh.

Sipas ZKA-së, pagesat për përfituesit që janë të punësuar kanë ndodhur për shkak të kontrolleve të brendshme të pamjaftueshme të krijuara nga rrethanat e pandemisë dhe për shkak të korrigjimeve të pagave nga bizneset në fund të vitit 2020 për muajt paraprak, për të cilat Ministria nuk mund t’i kishte nën kontroll.

Auditori ka evidentuar se 840 pagesa në vlerë prej 108.801 eurosh janë bërë gjatë vitit të kaluar për pensione pas vdekjes së përfituesve.

Numri më i madh i pagesave të tilla ishte për pensionet bazë, që ishin gjithsej 555 pagesa në vlerë prej 55 mijë e 860 eurosh.

Arsyetimi me situatën e pandemisë

Këto pagesa, edhe pse kishte tendencë të rënies së gabimit financiar nga viti i kaluar, sipas ZKA-së kanë ndodhur ngase lajmërimi i pensionistëve ishte ndërprerë nga muaji mars 2020 dhe vdekjet e përfituesve, për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia COVID-19 nuk ishin regjistruar me kohë në ARC.

“Përfitimi i pensioneve nga personat e punësuar dhe mbetja e personave të vdekur në listat e pagesave janë pagesa të parregullta dhe si të tilla e dëmtojnë buxhetin e Ministrisë”, thuhet në raport.

ZKA-ja ka evidentuar edhe pagesa pa bazë të qartë ligjore lidhur me pensionet e dyfishta.

Ligji Nr.04/L -131 për skemat pensionale të financuara nga shteti rregullon pensionet bazë të moshës, pensionet kontributpaguese të moshës, pensionet e aftësisë së kufizuar, pensionet e parakohshme, pensionet familjare dhe pensionet invalidore të punës.

Sipas nenit 16 të këtij ligji, personat të cilët janë përfitues të cilitdo pension të skemave të përcaktuara me këtë ligj, në asnjë rrethanë nuk mund të jenë përfitues të ndonjë pensioni tjetër nga skemat e veçanta pensionale, të cilat menaxhohen nga shteti.

Edhe Ligji Nr. 04/L-172 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.04/L054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyre - neni 5.1.4, parasheh që përfituesit e pensioneve familjare, invalidore personale dhe invalidore familjare nuk mund të jenë shfrytëzues të asnjë pensioni nga skemat e tjera pensionale të aplikueshme në Kosovë.

Ndërsa sipas Ligjit Nr.04/L-261 për veteranët e UÇK-së, neni 16, pika 2, veteranët e UÇK-së nuk mund të jenë shfrytëzues të asnjë pensioni nga skemat e tjera pensionale të financuara nga shteti.

“Nëse veterani është shfrytëzues i ndonjë skeme pensionale të financuar nga shteti duhet të përcaktohet se cilin pension do ta marrë”, thuhet në raport të ZKA-së.

Edhe sipas Ligjit Nr. 04/L-084 për pensionet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë të Kosovës, neni 5.3 përfituesit që kanë të drejtë në pensionin e FSK-së duhet të zgjedhin njërin nga përfitimet: pensionin që u takon me këtë ligj, apo përfitimet e tjera që parashihen me ligjet e tjera në fuqi.

Bazuar në krahasimin e të dhënave të Ministrisë për skemat pensionale dhe sociale është identifikuar se Ministria kishte kryer pagesa në vlerë 1.088.040€ për përfitues të cilët gëzojnë më shumë se një pension.

“Rastet më të shpeshta të përfitimit të më shumë se një pensioni nga skemat pensionale janë përfituesit që i takojnë kategorisë së TMK-së dhe FSK-së, të cilat pagesa Ministria i kishte kryer edhe vitin e kaluar bazuar në vendimin e ish-kryeministrit nr. 12/82 të datës 28.12.2018. Me këtë vendim ishte aprovuar vazhdimi i pagesave të pensioneve të dyfishta për FSK-në dhe ish-pjesëtarët e TMK-së deri në interpretimin përfundimtar të ligjeve për skemat pensionale”, thuhet në raport.

Krahasuar me vitin e kaluar, ka një rritje të lehtë të shumës së këtyre pagesave.

Kjo ka ndodhur shkaku i mosharmonizimit të legjislacionit për skema sociale dhe se menaxhmenti nuk i kishte iniciuar procedurat për harmonizimin e legjislacionit për skema pensionale. Këto pagesa sipas ZKA-së janë në kundërshtim me ligjin dhe shkaktojnë dëmtim të buxhetit.

Parregullsitë në menaxhimin e pasurisë jofinanciare

ZKA-ja ka evidentuar edhe parregullsi të tjera në menaxhimin e pasurisë jofinanciare.

Sipas nenit 6, pika 3 e Rregullores MF – Nr. 02/2013 për menaxhimin e pasurisë jofinanciare në organizatat buxhetore, pasuria kapitale duhet të regjistrohet në SIMFK, ndërsa pasuria jokapitale dhe stoqet duhet të regjistrohen në sistemin “e-pasuria”.

Por, ZKA-ja ka evidentuar se pasuritë kapitale të blera në vitin 2020 në vlerë prej 820.349 eurosh nuk janë regjistruar në regjistrin kontabël të pasurive (SIMFK) të MPMS-së, si dhe blerjet nën 1.000 euro në vlerë prej 26.814 eurosh nuk ishin regjistruar në “e-pasuria”.

“Këto pasuri nuk ishin prezantuar as në PFV, duke e nënvlerësuar vlerën e tyre të shpalosur për këto shuma. Kjo kishte ndodhur për shkak të kontrolleve të brendshme joadekuate në lidhje me regjistrimin dhe raportimin e pasurisë. Mosregjistrimi i blerjeve ishte ndikuar edhe nga ndryshimet në pozitën e zyrtarit të pasurisë, i cili këto regjistrime i kishte bërë në vitin 2021”, thuhet në raport.

“Mosregjistrimi i pasurisë rrit rrezikun që pasuria të keqpërdoret, të humbet, apo tjetërsohet”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Auditori ka vërejtur se për 20 nga 70 mostrat e testuara të pasurive, me vlerë të përbashkët prej 1.138.365€, e të cilat janë të paraqitura në regjistrin e pasurisë kapitale, MPMS-ja nuk ka qenë në gjendje të ofrojë dokumentacion burimor mbështetës për to.

Këto pasuri ishin të regjistruara në vitet e mëhershme (kryesisht nga viti 2006).

“Gjashtë vetura me vlerë kontabël të mbetur 3100 euro, të shitura me ankand përmes Ministrisë së Administratës Publike (MAP) në vitin 2018 nuk ishin shlyer nga regjistri i pasurisë. Ministria kishte bërë kërkesë në MF për shlyerje të pasurisë, mirëpo në mungesë të dokumentacionit të plotë, MF-ja nuk kishte bërë shlyerjen e këtyre veturave nga lista”, thuhet në raport.

Arsyetimi i MPMS-së për mungesë të plotë të dokumentacionit për shlyerje ishte për shkak se procedurat e ankandit ishin zhvilluar nga MAP-i.

MPMS-ja nuk kishte bërë përpjekje të mëtutjeshme që në bashkëpunim me MAP-in të sigurojë dokumentacionin e plotë dhe t'i shlyejë nga regjistri.

“Dy vetura (me vlerë të mbetur kontabël 1800€) ende figurojnë në regjistrat e pasurisë së Ministrisë, edhe pse nuk janë në pronësi të Ministrisë. Njëra i ishte dhuruar me vendim të drejtorit të Entit Special Shtime (datë 29.6.2005) Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, ndërsa tjetra me marrëveshje të mirëkuptimit i është dhuruar Komunës së Zubin-Potokut (datë 30.6.2016) për bartjen e kompetencave shërbimeve sociale në nivel komunal”, thuhet në raport.