Arbëri

Bajrami: Projekti “Open Ballkan” nuk ka asgjë të bëjë me Procesin e Berlinit

Foto: Driton Paçarada / KD

Shefi i Grupi KOHA, Agron Bajrami, vlerëson se “Open Ballkan” nuk ka asgjë të bëjë me Procesin e Berlinit, madje ai ka thënë se është në kundërshtim edhe me themelet e idesë së Procesit të Berlinit.

“Për të qenë të qartë: Projekti ‘Open Ballkan’ nuk ka asgjë të bëjë me Procesin e Berlinit; madje është në përplasje me bazat e idesë së Procesit të Berlinig. Siç kishte shpjeguar drejtoresha për Evropën Juglindore në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Sabine Schuetz, Procesi i Berlinit është i bazuar në përfshirjen dhe barazinë e gjashtë shteteve të ballkanit Perëndimor. “Nënshkruajnë të gjitha apo vazhdojnë bisedimet’”, ka shkruar Bajrami në Twitter.

Drejtoresha për Evropën Juglindore në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Sabine Schuetz, në një intervistë për KOHËN në qershor kishte thënë se marrëveshjet në kuadër të Berlinit do të duhet të firmosen nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në të kundërtën do të vazhdojnë bisedimet.

“Ose nënshkruajnë të gjithë, ose i vazhdojmë bisedimet. Procesi i Berlinit jeton nga inkluziviteti. Të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të barabarta dhe nëse një shtet nuk u bashkohet përpjekjeve, atëherë na duhet të shikojmë që t’i sqarojmë të gjitha rezervat për t’i sjellë të gjithë në Bord“, tha Schuetz.

Të enjten në Shkup u firmos një marrëveshje e dy memorandume mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë Veriore. Iniciativa që njihej “mini-Schengen” mori emrin “Open Ballkan”.