1 perditesime
15:26

Klinaku: Gjykata Speciale i ka shkelur të drejtat e njeriut

Në një konferencë të jashtëzakonshme, ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku, ka deklaruar se Gjykata Speciale është duke ia mohuar të drejtat e njeriut personave që gjenden në Hagë, duke mos lejuar familjarët e Hysni Gucatit të takohen më këtë të fundit.

Klinaku ka theksuar se duke ditur që Qeveria e Kosovës i mbulon shpenzimet e të akuzuarve, autoritetet holandeze e marrin këtë si çështje financiare, dhe sipas tij, Gjykata përveç që është politike, po vepron politikisht.

“Familjarët e tyre janë vaksinuar edhe për herë të dytë kundër COVID-19, mirëpo përsëri s’kanë mundur t’i takojnë familjarët e tyre”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, i biri i Gucatit, Musliu, ka theksuar se familja ka përgatitur tërë dokumentacionin dhe Ministria e Drejtësisë i ka kryer detyrat e saj.

“Ky vendim i Gjykatës ka qenë një padrejtësi e madhe dhe diskriminuese që të mos e vizitojmë babanë tonë. Me këtë rast kanë treguar që i shkelin të drejtat themelore të njerëzve”, ka thënë ai.

12:39

Klinaku ankohet se familjarët nuk po mund ta vizitojnë Hysni Gucatin

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Faton Klinaku, ka deklaruar se familja e Hysni Gucatit, i arrestuar në Dhomat e Specializuara, po has në vështirësi për ta takuar atë. Përmes një shkrimi në Facebook, Klinaku ka shkruar se familjarëve të Gucatit nuk po u jepen viza “me arsyetim të dëshmive të pamjaftueshme financiare”.

Klinaku thotë se kjo është tendencioze pasi që sipas tij, autoritetet holandeze e dinë që shpenzimet e të akuzuarve nga Gjykata Speciale paguhen nga Kosova.

 

Edhe në këso vështirësi hasin familjarët që duan ta vizitojnë familjarin e tyre në burgun e Hagës. Familjes së Hysni...

Posted by Faton Klinaku on Saturday, July 31, 2021

Gucati ishte paraqitur për herë të parë më 1 tetor 2020 para Dhomave të Specializuara, Së bashku me Nasim Haradinajn, ata akuzohen për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Më 25 shtator 2020 ata ishin arrestuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.