Arbëri

Presidentja Osmani bisedon me homologun e saj izraelit për thellim të bashkëpunimit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar të enjten një bisedë telefonike me presidentin e Izraelit, Isaac Herzog.

Osmani me këtë rast e ka uruar presidentin Herzog për pranimin e detyrës dhe shprehu gatishmërinë e Republikës së Kosovës për ta thelluar bashkëpunimin me Izraelin në fushën e politikës, tregtisë, arsimit, energjetikës dhe mbrojtjes.

Ndërkaq, presidenti Herzog shprehu falënderimin për krijimin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve dhe ofroi mbështetjen e tij për thellimin e raporteve bilaterale.

Presidentja Osmani në këtë bisedë telefonike potencoi se raporti i Kosovës me Izraelin është i hershëm dhe daton nga periudha e Luftës së Dytë Botërore kur shqiptarët në Kosovë mbrojtën hebrenjtë, ndërsa presidenti Herzog nënvizoi mbështetjen e shtetit të Izraelit për refugjatët shqiptarë nga lufta në Kosovë.

Presidentja Osmani dhe presidenti Herzog u pajtuan për komunikim të mëtejmë dhe në realizimin e vizitave përkatëse në Kosovë dhe Izrael.