Publicisti Veton Surroi gjatë mbledhjes që ishte mbajtur në qytezën kroate Stubiçke Toplice, më 19-20 janar të vitit 1991, e ku morën pjesë krerë politikë, përfaqësues partish dhe aktivistë të ndryshëm shqiptarë nga Kosova, tha se është shumë e dëmshme të zbritet në nivelin e thikave dhe në nivelin e aftësisë politike të thikave.
Surroi, asokohe ishte kryetar i partisë parlamentare të Kosovës dhe anëtar i këshillit koordinues të partive shqiptare në Kosovë e ish-Jugosllavi.
“Ka një pluralitet mendimesh, mirëpo çdo herë që dëgjoj fjalën ‘terror’ unë ndihem kështu (v.j. i rrëqethur) me flokë përpjetë. Megjithatë, jemi lëvizje politike dhe megjithatë po flasim për zgjidhje politike. Nuk do të ishte, jo vetëm joserioze, por e dëmshme të flasim e të zbresim në nivelin e thikave edhe në nivelin e aftësisë politike të thikave. Thikat kanë vetëm një aftësi: të dëbojnë politikisht lëvizjet prej botës. Edhe së dyti, natyrisht pasoja individuale të vrasë njerëz. Po t'i kthehemi kësaj. Po du me lidhë me këtë. Këshilli, çfarëdo këshilli mbrojtës më duket se duhet ta përmend sugjerimin e bacës Tomë, që meqenëse është një çështje shumë e ndjeshme nuk është çështje e debatit politik. Me të vërtetë është marrëveshja e të gjitha subjekteve brenda kësaj lëvizjeje për një strategji unike të veprimit politik, si në fushën institucionale, pra të luftës parlamentare edhe politike legale, ashtu edhe në fushën jashtë-institucionale, po ashtu legale dhe ilegale. Sipas mendimit tim këtu nuk do të duhej të hynim në definimin e formave të veprimit politik. Mendoj se kjo është çështje, mendoj se me konsensus u arrit deri te dy pika të pajtimit. Një është që duhet të eskalojnë format e rezistencës, duhet të forcohen, dhe dy ato nënkuptojnë të gjitha variantet e luftës politike të padhunshme, po edhe përgatitjet për ato që do të nënkuptonin mbrojtjen. Disa sende si në politikë, ashtu edhe në dashni nuk duhet thuhen”, kishte thënë Surroi.
Desku i KOHËS ka paraqitur dokumentarin “Stubiçke Toplice: Shqiptarët në prag të luftës më 1991”. Materialin e plotë të dokumentarit, që është xhiruar nga organizatorët e takimit – Lidhja e Shqiptarëve në Kroaci, me kameramanë Fatmir Lamën dhe Milazim Salihun – do ta shfaqim të plotë në Premiumin e portalit tonë koha.net prej të hënës së ardhshme.