Më 19 dhe 20 janar të vitit 1991, në qytezën kroate Stubiçke Toplice, ishin mbledhur krerë politikë, përfaqësues partish politike dhe aktivistë të ndryshëm shqiptarë nga Kosova dhe rajone të tjera shqiptare të ish-Jugosllavisë më qëllim që të arrijnë një konsensus gjithëshqiptar në synim dhe veprim, në kohën kur Jugosllavia numëronte ditët e fundit të saj.
Desku i KOHËS paraqet pjesët e mbledhjes në dokumentarin “Stubiçke Toplice: Shqiptarët në prag të luftës më 1991”.
Halit Muharremi, anëtar i Kuvendit të Kosovës, gjatë mbledhjes së vitit 1991, ka thënë se pjesëmarrja në zgjedhjet serbe do të kualifikohej si tradhti e rëndë kombëtare.
“Prandaj, çdo pikënisje për veprimin e mëtutjeshëm duhet të jenë dokumentet e 7 shtatorit që janë miratuar në Kuvendin e Kaçanikut. Ne mund të debatojmë, mund të flasim, mund të japim ide të reja, ide që janë më përparimtare, por të cilat çojnë në drejtim të realizimit në praktikë të dokumenteve që janë miratuar më 7 shtator në Kaçanik. Përndryshe, kompromiset, çfarëdolloj që mund të paraqiten, mendoj janë shumë të dëmshme edhe përfaqësuesi i kuvendit e tha se ajo mund të kualifikohet, ishte te pjesëmarrja në zgjedhje, mund të kualifikohet si tradhëti, si tradhëti edhe tradhëti e randë kombëtare, nga cilido individ apo qark apo asociacion i cili ka një qëndrim të tillë”, ka thënë Muharremi.
Ai ka thënë po ashtu në këtë mbledhje se ideja për pavarësinë e Kosovës, është rumbullakësuar më 7 shtator në Kuvendin e Kaçanikut.
“Mendoj që nuk është mirë që në tubim të krijohen dilema edhe konfuzione të tilla që të vinë në situatë pjesëmarrësit të bëjnë pyetje: a thua thash na duhet t'i shtrojmë disa dilema të cilat i takojnë kohës së kaluar. Ideja për pavarësinë e Kosovës, ideja për Republikën e Kosovës, ajo në aspektin juridiko-kushtetues është rrumbullaksuar më 7 shtator në Kacanik”, ka thënë Muharremi.