3 perditesime
17:38

Konjufca: Bashkatdhetarët iu kthyen Kosovës në trajtën më të dhimbshme - nëpër arkivole

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave të aksidentit në Kroaci, e të cilat sot u kthyen në Kosovë për tu varrosur.

Konjufca përmes një statusi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se jo vetëm familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre, por tërë Kosova është në pllakosur në zi dhe mbytur në dhimbje.

nderuara familje Binakaj, Rrustemi, Kolmekshaj, Kastrati, Bellanica, Maloku, Hoxha, Iprijaj e Sylmetaj, si dhe të afërm e miq të bashkatdhetarëve që humbën jetën në aksidentin tragjik të së dielës. Jo vetëm ju, por e tërë Kosova është pllakosur në zi dhe mbytur në dhimbje për bashkatdhetarët tanë të dashur, që pësuan në fatkeqësinë tragjike afër Slavonski Brodit të Kroacisë, derisa po ktheheshin në atdhe nga mërgimi për pushime çmallëse. Këtë herë, përmes udhëtimit të tyre të fundit, 10 bashkatdhetarët tanë iu kthyen Kosovës në trajtën më të dhimbshme - nëpër arkivole. Në këto momente tejet tronditëse për ju që humbët më të dashurit tuaj dhe për mbarë Kosovën, jemi bashkë dhe pranë njëri-tjetrit për të shprehur solidaritetin vëllazëror, për të ndarë dhimbjen dhe për ta përballuar më lehtë pikëllimin për jetët e humbura në këtë tragjedi të dimensioneve tej kombëtare, si dhe për t'u lutur për shërimin e të lënduarve. Ngushëllimet tona më të sinqerta familjeve, të afërmve dhe miqve për humbjen e më të dashurve të tyre. U qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”, ka shkruar Konjufca.

13:31

Mbërrijnë në Kosovë trupat e pajetë nga aksidenti në Kroaci

Para pak minutash kanë arritur në Kosovë trupat e pajetë të 10 viktimave nga aksidenti në Kroaci, i ndodhur të dielën.

Gjatë hyrjes në pikën kufitare të Vërmicës, qytetarët kanë vendosur lule në veturat të cilat po bartnin kufomat.

Në përcjellje të veturave që po i bartnin trupat e pajetë, ishte edhe ambasadori në detyrë i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani.

Në aksidentin e së dielës në Slavonski Brod të Kroacisë, u lënduan po ashtu 45 udhëtarë.

Autobusi i linjës Frankfurt – Prishtinë, kishte 67 udhëtarë, të gjithë shqiptarë që po vinin në Kosovë për pushime. Ishin edhe dy shoferë, njëri prej të cilëve vdiq në aksident, derisa tjetri, që ishte duke e drejtuar autobusin, është në paraburgim prej një muaji. Masa e paraburgimit është vendosur dje nga Gjykata e Qarkut në Slavonski Brod.

Autobusi u vetaksidentua.

Të martën mbrëma, 26 udhëtarë që i shpëtuan aksidentit, mbërritën në Prishtinë me aeroplan, ndërkohë në spitalet e Kroacisë mbetën edhe 15 udhëtarë që po trajtohen. Njëri prej tyre është në gjendje më të rëndë.

12:41

Brenda pak minutash trupat e pajetë nga aksidenti në Kroaci arrijnë në Kosovë

Trupat e pajetë të 10 viktimave që pësuan nga aksidenti në Kroaci brenda pak minutash pritet të arrijnë në Kosovë.

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi ka dalë në  pikë kufitare siç ka thënë ai për t’i nderuar dhe në shenjë solidariteti ndaj këtyre viktimave.

‘Trupat e pajetë janë afër dhe dola në shenjë respekti t’i presim këtu dhe bashkë ndjejmë me dhimbjen e familjarëve. Kemi 10 viktima, dy janë nga komuna jonë një18 vjeçare dhe një 40 vjeçare. Kemi edhe qytetarë  edhe nga Gjakova që kanë humbur jetën në këtë aksident. Kam ardhur që ta presim e ta  nderojmë konvojin e makinave” ka thënë Latifi duke bërë të ditur se disa.

Latifi më tutje ka bërë të ditur se trupat e pajetë do të dërgohen në morgun e Prizrenit, ku më pas do të dorëzohen familjarëve për varrim

Ai ka bërë të ditur se sot në orën 18 do të varroset Kujtrim Kastati, në orën 19 Anjeza Bellanica ndërsa Ahmeta Hoxha në orën 16.

Në pikën kufitare të Vërmicës përveç familjarëve që kanë dal të presin trupat e pajetë të familjarëve të tyre, janë edhe disa qytetarë të cilët kanë dal t’i nderojnë viktimat me lule në duar.

 

10:48

Në orën 12:00 arrijnë në Morinë trupat e pajetë nga aksidenti në Kroaci

Rreth orës 12:00 pritet të arrijnë në pikën kufitare të Morinës, trupat e pajetë të mërgimtarëve që pësuan nga aksidenti në Kroaci.

Drejtori i kompanisë për bartjen e kufomave “Pikëllimi” Driton Elezi ka konfirmuar për KOHËN përmes telefonit, se kufomat janë bartur përmes Malit të Zi, në Shqipëri dhe diku rreth orës 12 pritet të jenë në këtë pikë kufitare.

“Për momentin kufomat gjenden në Shqipëri drejt pikës kufitare për në Morinë dhe po presim që në orën 12 të arrijnë në pikën kufitare të Morinës” ka thënë Elezi për KOHËN.

Mbrëmë në Aerportin Ndërkombëtar të Prishtinës kanë arritur 26 bashkatdhetarë që u përfshin në aksidentin tragjik në Kroaci.