Arbëri

Surroi më 1991: T’i tregojmë botës se njësia elementare e shqiptarëve në Kosovë është Republika

Publicisti Veton Surroi gjatë mbledhjes që ishte mbajtur në qytezën kroate Stubiçke Toplice, më 19-20 janar të vitit 1991, e ku morën pjesë krerë politikë, përfaqësues partish dhe aktivistë të ndryshëm shqiptarë nga Kosova, kishte thënë se është momenti që t’i tregohet botës se njësia elementare e shqiptarëve në Kosovë është Republika.

“Kontaktet me pikënisje konceptuale për të dy këto kontakte duhet të jenë jo vetëm këtë që thash, qëndrimin tonë ndaj Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe qëndrimeve tona tjera politike, por edhe si pikë urgjente: formimi i aleancës mes Republikës së Kosovës dhe republikave të tjera. Në kontaktet me botën, dimensioni i të drejtave njerëzore është konsumuar. Ne i kemi njoftuar. Edhe dallimi në mes të 100 dhe 115 të vdekurve nuk e vret veshin e botës perëndimore. Dallimi në mes të 0 dhe 1, të një njeriu, të numrin zero dhe numrit një ka dallim. Dallimi në mes të 100 dhe 115 nuk ka kurrfarë dallimi. Problemi duhet të eskalojë dhe duhet të prezantohet dhe këtë duhet ta bëjmë të gjithë duke e përfshirë edhe organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në prezantimin unik të problemit politik të popullit të ndarë për të cilin duhet të ketë mirëkuptim. Baza themelore për sigurimin e të drejtave të njeriut në Kosovë është njësia elementare gjeopolitike për shqiptarët në Kosovë e kjo është Republika”, tha Surroi që atëbotë ishte gazetar dhe botues i javores KOHA.

Surroi tha se si dilemë strategjike është pjesëmarrja në zgjedhjet komunale në Serbi dhe pjesëmarrja në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të cilat do t’i organizonte Serbia me akt të përkohshëm statutar siç ishte shprehur ajo. Surroi tha se preferenca e natyrshme e tij do të ishte mospjesëmarrja në asnjërën nga këto zgjedhje, por nëse merret eventualisht parasysh apo shihet e nevojshme pjesëmarrja në njërën prej tyre, atëherë gjithsesi komunale, e jo për kuvend krahinor”.

“Çështja të cilën e lë të hapur është vendimi për zgjedhjet, është pjesë e veprimit politik. Neve na afrohen tri zgjedhje, ndoshta njëra nuk duhet kurrë të mbahet, kjo federative për të cilën ne insistojmë dhe jemi të gatshëm të marrim pjesë automatikisht po më duket pa kurrfarë konsultimi paraprak sepse këtë e kemi shprehur qysh në janar të vitit të kaluar, po ajo çka na, e cila shtrohet si çështje, si dilemë strategjike është pjesëmarrja në zgjedhjet komunale në Serbi dhe pjesëmarrja në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të cilat do t'i organizonte Serbia me akt të përkohshëm statutar siç janë shprehur. Në rastin e parë për të dy këto zgjedhje ekzistojnë forma të pjesëmarrjes, varësisht nga taktika politike, mund të zgjidhe një. Edhe në të parën edhe në të dytën qytetarët mund të marrin pjesë nëpërmjet kandidimit si grupe qytetarësh të këshilltarëve. Mund të marrin pjesë partitë politike edhe natyrisht mund të mos merret pjesë fare. Kjo vlen edhe për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës. Pjesëmarrja në zgjedhjet komunale më duket se është dëm pak më i vogël e ka përparësinë e marrjes së pushtetit komunal ku posaçërisht bëhet dëm i madh kundër ekonomisë së vogël, sektorit privat i cili financon, pjesërisht e financon rezistencën”, tha Surroi. “Mungesa është evidente është pranimi i pushtetit serb. Pjesëmarrja në zgjedhjet e Kuvendit të Kosovës nuk dua ta elaboroj nga aspekti taktik mund të thuhet se aty do të bëhet një konsolidim i Kosovës dhe se kuvendi i ardhshëm, kuvendi i zgjedhur shumëpartiak i Kosovës atëherë do të mund ta shpallte republikën, gjegjësisht vetëm ta riverifikonte Kushtetutën e Kaçanikut, mirëpo prapë mbetet problemi i pranimit automatik të diktatit serb dhe dobësimi i pozitës negociuese. Dhe natyrisht elementi i tretë i cili duhet të merret parasysh në të gjitha këto është dimensioni ndërkombëtar, problemi i qëndrimit të botës ndaj pjesëmarrjes apo mospjesëmarrjes në këto zgjedhje. Unë po i lë të hapura. E kam mendimin tim rreth këtyre zgjedhjeve në një vend edhe e kam shprehur mirëpo në këtë moment vetëm dua ta lë si dilemë të hapur. Po të mos marrim pjesë në këto zgjedhje, kjo do të thotë se presim një radikalizim më të madh të lëvizjes, natyrisht kjo kërkon përgatitje më të madhe të lëvizjes se presim thyerje brenda Jugosllavisë në afatin e ardhshëm, kjo duhet të jetë diku marsi. Presim një konsolidim eventual të Shqipërisë, presim që presioni i brendshëm dhe i jashtëm ndaj Serbisë të krijojë ta dobësojë atë regjim, po ashtu mund të pritet shpërthimi eventual i durimit të shqiptarëve apo mund të presim ndonjë zgjidhje, kompromise ndërkohë. Mospjesëmarrja në zgjedhje po ashtu e ka rrezikun edhe të mbajtjes ende të hapur të çështjes së Kosovës, rrezikun jo përparësitë, por mund ta ketë rrezikun të mbylljes së përkohshme të kësaj çështjeje në një administrim eventual ushtarak i cili do të, nëpërmjet konflikteve do të vinte gradualisht të vendosej në Kosovë. Po mirë, kjo është një çështje strategjike e cila kërkon konsensus të plotë edhe unë vetëm e hapa t'i diverzion preferenca e natyrshme e imja do të ishte mos-pjesëmarrja në këto zgjedhje as në njërën as në të dytën ose nëse merret eventualisht parasysh ose shihet nevoja e pjesëmarrjes në njërën prej tyre atëherë gjithsesi komunale jo, për kuvend krahinor”.

Desk paraqet pjesët e mbledhjes në dokumentarin “Stubiçke Toplice: Shqiptarët në prag të luftës më 1991”.

Pjesë të dokumentarit “Stubiçke Toplice: Shqiptarët në prag të luftës më 1991”, do të transmetohen në Desk edhe të mërkurën, ndërsa materiali i plotë, që është xhiruar nga organizatorët e takimit – Lidhja e Shqiptarëve në Kroaci, me kameramanë Fatmir Lamën dhe Milazim Salihun – do ta shfaqim të plotë në premiumin e portalit tonë, koha.net, prej së hënës së ardhshme