Arbëri

Bakalli më 1991: E drejta për vetëmbrojtje na obligon të veprojmë me rezistencë aktive

Më 19 dhe 20 janar të vitit 1991, në qytezën kroate Stubiçke Toplice, ishin mbledhur krerë politikë, përfaqësues partish politike dhe aktivistë të ndryshëm shqiptarë nga Kosova dhe rajone të tjera shqiptare të ish-Jugosllavisë më qëllim që të arrijnë një konsensus gjithëshqiptar në synim dhe veprim, në kohën kur Jugosllavia numëronte ditët e fundit të saj.

Gjatë mbledhjes ish-zyrtari i lartë i Kosovës, Mahmut Bakalli, kishte thënë folur për vendosmërinë e të gjithëve për demokraci e për republikën e Kosovës. Ai në takimin e vitit 1991 tha se e drejta për vetëmbrojtje obligon që të veprohet me rezistencë aktive.

Desk paraqet pjesët e mbledhjes në dokumentarin “Stubiçke Toplice: Shqiptarët në prag të luftës më 1991”.

“Ne të gjithë jemi të vendosur për demokraci dhe për republikën e Kosovës. Vite me radhë, populli ynë ndonëse përjeton vuajtje dhe viktima të mëdha e te njohura, me mençuri dhe me urti, pushtuesit të Serbisë i dhanë rezistencë paqësore, duke i duruar me dinjitet represionet e tij me të cilat shpresonte se do të na pasivizojë, do të na frikësojë e të na qetësojë, por këtij qëllimi kryesor: të na qetësojë, të na frikësojë, të na zhdukë nuk ia arriti dot. Përkundrazi, na forcoi në bindjen dhe në vendosmërinë tonë dhe na bashkoi. Prandaj, pushteti serb si bishë e çartur do të vazhdojë të vazhdojë torturat dhe masakrat ndaj popullit tonë, për ta arritur qëllimin e vet përuljen ose zhdukjen e popullit shqiptar. Në këto rrethana, e drejta jonë natyrore për vetëmbrojtje na obligon të organizohemi dhe të veprojmë me rezistencë aktive kundër sunduesit deri të çlirimi i plotë i Republikës së Kosovës. Shumica e popullit të Jugosllavisë, Evropa demokratike dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës këto vite na kanë përcjellë dhe kuptuar pozitën tonë. Kanë shprehur solidaritet me ne, na kanë njohur si komb i pjekur politikisht me synime demokratike, na kanë pranuar dhe përkrahur në shumë raste, sidomos në gjykimin e represioneve të pushtetit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë, ndaj shkeljes së të drejtave të njeriut në Kosovë e të tjera. Për të gjitha këto ne u jemi mirënjohës, por tanimë kemi hyrë në atë shkallë të masave represive të zullumeve masive të pushtetit serb në Kosovë, të varfërimit kolektiv të padurueshëm, të urisë masive të shqiptarëve në Kosovë e cila medoemos kërkon rezistencën tonë aktive dhe përkrahjen aktive me masa konkrete të republikave të tjera të Jugosllavisë të popujve dhe të shteteve të Evropës, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të tërë botës me qëllim që të dobësohen pozitat e sunduesit në Kosovë dhe të shpejtohet realizimi i kauzës sonë: organizimi dhe funksionimi i Kosovës demokratike, sovrane, të lirë, të pavarur nga Serbia si subjekt i barabartë me popujt dhe me republikat tjera në bisedat dhe marrëveshjet për organizimin e ri të konfederatës jugosllave dhe për integrimin në Evropën demokratike. Kishim shpresa se organet e federatës së tanishme të Jugosllavisë, të cilën me kushtetutë e përbëjmë edhe ne do të distancohen nga politika dhe agresioni anti-kushtetutar dhe nga masat brutale represive që po i ndërmerr vite me radhë pushteti serb ndaj shqiptarëve dhe ndaj Kosovës”, tha Bakalli.

Atë janar 1991, në Beograd tashmë kishin nisur bisedimet mes përfaqësuesve të republikave jugosllave për rregullimin e ardhshëm të shtetit të përbashkët. Shqiptarët, edhe pse me numër populli i tretë në Jugosllavi, nuk ishin në tavolinën e bisedimeve.

Vetëm 3 muaj pas takimit në Stubiçkje Toplice do të shpërthente konflikti mes kroatëve dhe ushtrisë jugosllave, ndërsa në qershor të vitit 1991 Sllovenia dhe Kroacia do të shpallnin pavarësinë. Kundërpërgjigjja e Serbisë ishte nisja e luftës frontale dhe shpërbërjes së federatës jugosllave.

Urgjenca e situatës shihet qartë edhe në takimin e mbajtur në Stubiçke Toplice.

“Shpresat tona ishin të kota sepse organet e federatës në vend që të na mbronin na sulmonin dhe na rrezikonin. Vetë kryesia e Jugosllavisë, qeveria jugosllave, Kuvendi i Jugosllavisë, si dhe Armata Jugosllave dhe Sekretariati Federativ i Punëve të Brendshme aprovuan qëndrime dhe morën masa ndëshkuese kundër Kosovës dhe shqiptarëve, duke aprovuar kështu politikën e Serbisë dhe objektivisht i identifikuar me te. Kjo pati ndikim edhe në përcaktimin e kufirit përkrahjes dhe masave të shumë shteteve evropiane dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilat për hir të ruajtjes së integritetit të Jugosllavisë të cilën e njohin si subjekt ndërkombëtar nuk mund t’i injoronin qëndrimet e organeve të federatës jugosllave. Për të gjitha kërkesat tona dhe vendosmërinë tonë jemi të gatshëm për dialog, marrëveshje, negociata direkte të përfaqësuesve legjitimë e legalë të popullit shqiptar në pushtetin e Serbisë apo me organet e federatës apo me ndërmjetësimin e faktorit të tretë apo me internacionalizimin politik të çështjes së Kosovës. Por, nuk jemi të gatshëm as ne e as ndonjë faktor politik apo person nga Kosova apo nga radhët e shqiptarëve që të pranojmë, në asnjë mënyrë, sundimin e imponuar me dhunë të pushtetit Serb dhe në asnjë mënyrë nuk heqim dorë nga orientimi dhe vendimi ynë për Republikën e Kosovës vendim ky i shprehur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës në Kaçanik më 7 shtator 1990. Kjo është platforma jonë e patundshme”, tha ndër tjera Bakalli.

Bakalli kishte udhëhequr Partinë Komuniste në Kosovë në fund të viteve 1970-ta dhe fillim të viteve 1980-ta, para se të jepte dorëheqje për shkak të mospajtimeve se si ishin menaxhuar protestat studentore të vitit 1981. Ai pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, kishte qenë deputet i Kuvendit të Kosovës nga viti 2001 deri më 2004. Vdiq më 14 prill të vitit 2006 nga kanceri i fytit.

Pjesë të dokumentarit “Stubiçke Toplice: Shqiptarët në prag të luftës më 1991”, do të transmetohen në Desk edhe të mërkurën, ndërsa materiali i plotë, që është xhiruar nga organizatorët e takimit – Lidhja e Shqiptarëve në Kroaci, me kameramanë Fatmir Lamën dhe Milazim Salihun – do ta shfaqim të plotë në Premiumin e portalit tonë, koha.net, prej së hënës së ardhshme.