Arbëri

Shkaku i terminologjisë mbi Kosovën, Serbia i dështoi 4 marrëveshje rajonale

Mësymja e Serbisë që Kosova të mos jetë e barabartë në nismat rajonale ka bërë që të dështojnë katër marrëveshje që synohej të firmoseshin në fillim të muajit, në kuadër të procesit të Berlinit: Marrëveshja për lëvizjen vetëm me letërnjoftime; Marrëveshja për vizat, për shtetasit e vendeve të treta; Ajo për njohjen e diplomave; si dhe Marrëveshja për njohjen e profesioneve.

Këshilli për Bashkëpunim Rajonal i ka hartuar draftet e këtyre dokumenteve.

E në Qeveri kanë identifikuar Beogradin zyrtar si përgjegjës për dështimin e nënshkrimit të tyre, që ishte planifikuar në samitin e fundit i cili është mbajtur në kuadër të procesit të Berlinit.

“Serbia në anën tjetër refuzoi me dërgu komente deri në ditët e fundit para samitit, çka e vendosi në vështirësi dhe e rrezikoi dështimin e këtyre marrëveshjeve, sepse komentet e tyre ishin të tilla, të cilat ndërhynin shumë në terminologji të marrëveshjeve dhe në preambulë, mirëpo edhe në disa nene në të cilat synonin që të zhveshnin shtetësinë e Kosovës”, ka deklaruar Jeton Zulfaj, këshilltar i Kryeministrit.

Komentet e Serbisë, nëpërmjet të cilave kërkohej edhe përfshirja e marrëveshjeve të Brukselit si referencë, ishin refuzuar nga Qeveria e Kosovës. Kjo, pasi konsiderohej se me to shteti nuk trajtohej i barabartë me 5 vendet e tjera të rajonit.

Drejtoresha për Evropën Juglindore pranë Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Susanne Schuetz ,në një intervistë për KOHËN, ka thënë se bllokadat duhen shmangur nëpërmjet konstruktivitetit.

“Një gjë duhet të jetë e qartë: Ose nënshkruajnë të gjithë ose i vazhdojmë bisedimet. Procesi i Berlinit jeton nga inkluziviteti. Të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të barabarta dhe nëse një shtet nuk u bashkohet përpjekjeve, atëherë na duhet të shikojmë që t’i sqarojmë të gjitha rezervat për t’i sjellë të gjithë në Bord, ka thënë Schuetz.

E në shoqërinë civile konsiderojnë se ambienti politik në rajon nuk favorizon mbërritjen e marrëveshjeve.

“Fryma e përgjithshme rajonale në Ballkan nuk është më e favorshmja që ka qenë ndonjëherë. Megjithëkëtë, kjo nuk e bën të pamundur bashkëpunimin rajonal 01.58”, është shprehur Emir Abrashi, hulumtues në D+.

Në Qeveri insistojnë se nuk do të vënë firmë mbi dokumente që nuk e trajtojnë Kosovën të barabartë me vendet e tjera. Por, thonë të mos jenë venitur të gjitha shpresat për marrëveshje.

“Deri më 6 tetor në samitin e radhës mes vendeve të Ballkanit dhe Bashkimit Evropian që do të mbahet në Slloveni, po synohet që në gusht dhe në shtator të përpiqemi prapë që të arrijmë një dakordim në lidhje me tekstin e këtyre marrëveshjeve dhe të arrijmë të kapërcejmë le të themi dallimet”, ka shtuar këshilltari i i kryeministrit, Albin Kurti, Jeton Zulfaj.

Paralelisht nismës për këto marrëveshje që synohej të mbërriheshin në kuadër të Procesit të Berlinit, liderët e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut janë duke e shtyrë përpara nismën për mini-schengenin ballkanik, në kuadër të të cilit parashihet edhe lëvizja e lirë. Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina kanë refuzuar të bashkëngjiten në të.