Arbëri

Katër tragjeditë nga aksidentet me autobusë

Që nga mbarimi i luftës në Kosovë në vitin 1999, Kosova ka parë disa aksidente të tmerrshme ku kanë qenë të përfshirë autobusët e udhëtarëve.

Në dy dekadat e fundit, është rritur transporti rrugor me autobusë nga Kosova për në shtetet tjera, por janë rritur edhe aksidentet.

Ja katër tragjeditë më të mëdha nga aksidentet më autobusë në 20-vjetëshin e fundit, ku janë përfshirë udhëtarët kosovarë.

2002- Dhjetë të vdekur në kufirin Kosovë-Mal i Zi

Dhjetë persona vdiqën, përfshirë edhe dy fëmijë, si dhe 31 të tjerë u lënduan më 25 korrik të vitit 2002 në kufirin Kosovë-Mal i Zi.

Autobusi me 40 udhëtarë ishte duke udhëtuar nga Ulqini për në Kosovë kur doli nga rruga dhe ra poshtë një kodre.

Aksidenti ndodhi në orën 05:00. Kjo ishte tragjedia më e madhe rrugore që nga mbarimi i luftës.

2004 - 15 maturantë humbën jetën në Shqipëri

Më 14 tetor 2004, në Fushë Arrëz të Shqipërisë, vdiqën 15 maturantë kur u aksidentua autobusi më të cilin maturantët po ktheheshin nga ekskursioni në Shqipëri.

Autobusi po bartte 49 maturantë kur u rrokullis dhe ra në humnerë, autoritetet thanë se 34 maturantë të tjerë u lënduan, disa prej tyre rëndë.

Të 15 maturantët u varrosën në në qytezën e Malishevës, ndërkohë në Fushë Arrëz është vendosur një pllakë përkujtimore.

2010 - Gjashtë të vdekur në një aksident në Austri

Më 22 shkurt 2010, gjashtë persona nga Kosova vdiqën kur një autobus që udhëtonte nga Prishtina u aksidentua afër Vjenës, derisa po udhëtonte për në Gjermani. Aksidenti ndodhi kur autobusi u përplas me dy kamionë në një autostradë në afërsi të kryeqytetit të Austrisë, Vjenë.

Në këtë aksident u lënduan edhe mbi 30 persona, disa prej tyre rëndë. Në aksident vdiqën edhe dy shoferët e autobusit.

2021 - Dhjetë të vdekur në Kroaci

Më 25 korrik 2021, në një aksident në Kroaci mbetën të vdekur dhjetë persona me origjinë nga Kosova, derisa po udhëtonin në autobusin e linjës Frankfurt-Prishtinë. Mbi 40 persona u lënduan dhe njëri prej tyre vazhdon të jetë në gjendje të rëndë. Autobusi kishte 67 pasagjerë, përfshirë edhe fëmijë.

Aksidenti ndodhi në orën 06:00, ku dyshohet se nga pakujdesia e shoferit, autobusi doli nga rruga.

Policia kroate ka thënë se në kohën e aksidentit shoferin e kishte zënë gjumi. Shoferi është ndaluar nga policia derisa të kryhen hetimet. \ REL