Arbëri

MPJD: Qeveria është e angazhuar për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të lënduar

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka njoftuar se deri në orën 11:30, bazuar në komunikimin me autoritetet kroate, nga aksidenti i trafikut në Slavonski Brod kanë humbur jetën 10 bashkëatdhetarë, 44 persona kanë marrë ndihmë mjekësore dhe 15 prej tyre janë me lëndime më të rënda.

MPJD-ja ka thënë se Qeveria është e përkushtuar për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të lënduar.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), nga komunikimi me autoritetet kroate njofton opinionin publik se nga të dhënat e konfirmuara deri në orën 11:30, si pasojë e një aksidenti tragjik në trafik që ndodhi në Slavonski Brod të Kroacisë kanë humbur jetën 10 persona,bashkëatdhetarë, 44 persona kanë marrë ndihmë mjekësore dhe prej tyre 15 janë me lëndime më të rënda. MPJD-ja, do të njoftojë opinionin publik ne kohë reale me të dhënat e tjera të konfirmuara gjatë orëve në vazhdim lidhur me këtë ngjarje tragjike. Qeveria e Republikës së Kosovës, do të jetë e angazhuar në orët në vazhdim për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të lënduar dhe për t’iu asistuar bashkëatdhetarëve dhe familjarëve të tyre në të gjitha procedurat e nevojshme. MPJD-ja shpreh keqardhje të thellë për humbjen e jetëve të bashkëatdhetarëve tanë, iu shpreh ngushëllime të sinqerta familjarëve të viktimave dhe ju dëshiron shërim të shpejtë të lënduarve. Gjatë ditës së sotme Ministrja e Punëve të Jashtme znj.Donika Gërvalla, ka zhvilluar bisedë telefonike me homologun e saj kroat Gordan Grlić Radman. Ky i fundit ka shprehur ngushëllime për viktimat dhe ka siguruar Gërvallën se do të angazhohen të gjitha instancat relevante për t’iu dalë në ndihmë të lënduarve”, thuhet nga MPJD-ja.


MPB: Jemi të angazhuar me të gjithë akterët për menaxhim sa më efektiv të situatës

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se me shqetësim të thellë ka pranuar lajmin për aksidentin tragjik të bashkatdhetarëve tanë në Kroaci.

“Shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për familjarët e të vdekurve në këtë aksident, njëkohësisht iu urojmë shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve. Jemi pranë tyre për të kaluar këto momente të vështira. Me këtë rast, ju njoftojmë që Qendra Operative e Ministrisë së Punëve të Brendshme në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe me gjithë aktorët tjerë janë të angazhuar në menaxhimin sa më të efektiv të situatës dhe koordinimin e gjithë veprimeve për të lehtësuar gjithë të prekurit në këto momente të vështira”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Ministria ka bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kroate të cilët i ka falënderuar për ndihmën e dhënë në menaxhimin e situatës së krijuar.

MPB-ja ka dhënë edhe një numër kontakti për ata që kanë nevojë për informata.

“Numri i kontaktit për të gjithë ata që kanë nevojë për informata rreth situatës apo gjendjes së familjarëve të tyre është: +383 (0) 38 200 76 000”, thuhet në njoftim.