1 perditesime
13:01

Dy shtete ofrojnë garanci për lirimin e Hashim Thaçit nga paraburgimi

Mbrojtja e Hashim Thaçit, përmes një parashtrese drejtuar gjykatësit paraprak,  ka bërë të ditur se dy shtete të treta kanë garantuar për lirimin e përkohshëm të tij në territoret e tyre, duke kërkuar lirimin e tij në një nga këto shtete.

Sipas kësaj shkrese, më 5 maj 2021, mbrojtja mori garancinë me shkrim të Qeverisë për lirimin e përkohshëm të Thaçit në territorin e saj, ndërsa thuhet se garanci tjetër me shkrim nga një Qeveri që nuk emërtohet u mor më 14 qershor 2021.

“Të dy shtetet e treta garantojnë që të bashkëpunojnë plotësisht për të siguruar kthimin e  Thaçit, ashtu si dhe kur kërkohet nga Dhomat e Specializuara”, thuhet në këtë parashtesë.

Sipas mbrojtjes së Thaçit, ofertat nga shtetet e treta, të mbështetura nga garancitë me shkrim, zhvendosin ekuilibrin në favor të lirimit të përkohshëm dhe këto garanci janë të mjaftueshme për të adresuar rrezikun e arratisjes dhe pengesave.

Tutje, thuhet se edhe nëse gjykatësi i procedurës paraprake konsideron që Thaçi vazhdon të gëzojë çdo masë të “ndikimit dhe autoritetit”, kjo eliminohet tërësisht nga garancitë e shteteve të treta, të cilat eliminojnë çdo rrezik real të pengesave ose ikjes.

Mbrojtja i ka kërkuar gjykatësit të procedurës paraprake që të kërkojë pikëpamjet e qeverive mbi lirimin e Thaçit në territoret e tyre përkatëse dhe të  urdhërojë lirimin e përkohshëm të Thaçit në një nga këto shtete të treta me kushte të tilla që konsiderohen të përshtatshme./ Betimi për Drejtësi

 

12:37

Miratohen pjesërisht mocionet e Thaçit, Selimit dhe Krasniqit kundër formës së aktakuzës

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka miratuar pjesërisht mocionet e mbrojtjes së Hashim Thaçit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit kundër formës së aktakuzës.

Siç bëhet e ditur në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, gjykatësi Guillou ka urdhëruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), që deri më 3 shtator të dorëzojë një version të korrigjuar të aktakuzës së konfirmuar në pajtim me vendimin.

Ndërsa, pjesët e tjera të mocioneve të Thaçit, Selimit e Krasniqit janë hedhur poshtë, kurse mocioni i Kadri Veselit është hedhur poshtë tërësisht. Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë./Betimipërdrejtësi/

Dokumenti i plotë