Arbëri

10 muaj burgim zyrtarit të Komunës së Prizrenit për keqpërdorim të detyrës

Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar me 10 muaj burgim zyrtarin e Komunës së Prizrenit, N.M., për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Themelorja njofton se N.M., në cilësinë e inspektorit komunal të ndërtimit, nuk ka marrë vendim për rrënimin e katit të tetë të një objekti në lagjen "Jeta e Re", ku ky kat ishte pa leje.

“Gjithashtu i akuzuari N.M., ka mundësuar që në objektin e banimit kolektiv në Prizren ndërtimin edhe të tre (3) kateve shtesë pa leje, ku leja e ndërtimit ka qenë B+P+2 ndërsa është ndërtuar B+P+5, me ç’ rast investitorëve iu mundësohet dobi një (1) kat në rastin e I-rë, dhe tre kate në etazhitet të objektit në rastin e II-të”, thuhet në njoftim.

Për këtë vepër, N.M., pos dënimit me burg, është obliguar që Komunës së Prizrenit t'ia kompensojë dëmin në vlerë prej 21.551 mijë euro dhe i është ndaluar ushtrimi i funksionit në administratën publike brenda dy vjetësh.

“Pas shpalljes së aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar”, thuhet tutje në njoftim.