Situata epidemiologjike në Kosovë për momentin është ndër më të mirat në Evropë ka thënë mikrobiologu Lul Raka në programin e mëngjesit SOT në Kohavision.
Por siç ka thënë ai Kosova nuk është një oazë veçantë dhe me përhapjen e shpejt të variantit Delta që po ndodh në shtetet tjera, e vetmja mbrojtje mbetet vaksinimi.
“Britania e Madhe dhe Izraeli që janë shembull për vaksinimin kanë shumë rritje të rasteve mbi 50 mijë raste në ditë i ka pas Britania e cila i ka hequr të gjitha kufizimet, por kjo rritje e rasteve nuk është përcjell me rritje të hospitalizimeve as me vdekje, e kjo është elementi qenësor dhe këtë e ka bërë të mundur vaksinimi” ka thënë Raka.
Derisa sipas tij 99 % e vdekjeve në dy muajt e fundit në SHBA, janë të atyre që kanë hezituar të vaksinohen.
“Një shembull konkret me të dhënat nga SHBA në dy muajt e fundit për të gjitha vdekjet që kanë ndodh në SHBA 99 përqind kanë qenë persona të pa vaksinuar. Prandaj është shumë e rëndësishme që në kohën kur kemi përhapje të varianit Delta dhe kjo e shton domosdoshmërinë dhe rolin e vaksinës. Mesazhi kryesor vaksinohuni menjëherë se mund të pendoheni e do të jetë vonë. Asnjë vaksinë nuk është 100 përqind efikase, por këto i që kemi sot kundër Covidit kanë efikasitet deri në 90 % që është e jashtëzakonshme dhe kjo është një armë shumë e fuqishme” është shprehur ai.
Raka ka thënë se të gjitha vaksinat madje edhe barnat si ai i llojit Paracetamol kanë efektet anësore andaj kjo nuk është arsye që të mos kryhet vaksinimi. Ai ka thënë se vetëm në rastet kur dikush shfaq reaksione alergjike ndaj përbërjes së vaksinës nuk duhet të vaksinohet me dozën e dytë.
Në të gjitha rastet tjera, sipas Rakës vaksinimi duhet të vazhdojë edhe me dozën e dytë, derisa ka thënë se edhe dozat e vaksinës mund edhe të kombinohen, por që në Kosovë ka një refuzim të madh për ta bërë këtë atëherë qytetarëve u është lënë në duar të që zgjedhin.
“Por për shembull tek gratë që përdorin pilula kontraceptive kanë mpiksje të gjakut, në 1 milion gra 1 mijë e 200 gra shfaqet kjo, duhanxhinjtë kanë mijëra herë më shumë mpiksje, jeni më të rrezikuar në trafik se prej vaksinës” ka thënë Raka duke sqaruar rastet e rralla të shfaqjes së mpiksjes së gjakut pas vaksinimit.
Sipas Rakës rekomandohet që 3 deri në 9 muaj nga koha e infektimit me Covid 19 rekomandohet marrja e vaksinës.
“Pasi që mundësia e ri infektimit është minimale nëse e keni kaluar Covid 19 rekomandohet që të pritet 3 deri në 6 muaj ose 9 muaj të marr vaksinën, por nëse dikush e ka kaluar Covidin mundet ta marr edhe pas një muaji por për shkak të imunitetit natyror rekomandohet që vaksinimi të bëhet pas 9 muajve” është shprehur Raka.
Në Kosovë deri tani numri i të vaksinuarve me dozën e parë ka arritur në mbi 230 mijë, kurse i atyre me dozën e dytë është mbi 90 mijë.
Ndërsa që nga fillimi i pandemisë 107 mijë e 926 persona janë konfirmuar me Covid 19, dhe 2 mijë e 265 persona kanë vdekur.