Arbëri

Të gjitha partitë optimiste për fitore në zgjedhjet lokale, VV-ja ende pa asnjë kandidaturë

Descriptive Text

Asnjë kandidaturë për kryetar komunash nuk e ka shpallur ende Lëvizja Vetëvendosje për zgjedhjet e 17 tetorit.

Madje këtë të enjte nga kjo parti nuk kanë pranuar të tregojnë se kur do ta bëjnë një gjë të tillë e as të shpalosin detaje lidhur me procesin e brendshëm zgjedhor nga ku është dashur të bëheshin të ditur kandidatët.

Për dallim nga Vetëvendosje, subjektet e tjera përveç nisjes së shpalljes së kandidaturave kanë nisur edhe përgatitjet për fushatën zgjedhore.

Derisa deri më tani kanë bërë të ditur disa nga kandidatët, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se i gjithë procesi do të përmbyllet brenda afateve kohore.

“Pa e dhënë një itinerar të kandidaturave konkrete kur do të fillojmë dhe kur do të përfundojmë, deri më 16-17 gusht ne do t`i shpallim të gjitha kandidaturat, për të gjitha komunat dhe po ashtu edhe për listat garuese për asamble”, ka thënë Krasniqi.

Nga Lidhja Demokratike kanë bërë të ditur 8 kandidatët e parë, derisa janë në përmbylljen e miratimit edhe të 5 propozimeve të tjera.

Zëdhënësja e kësaj partie, Sibel Halimi, është shprehur optimiste në rezultatet që LDK-ja do t’i ketë në këto zgjedhje.

“LDK-ja pret që do t’i fitojë shumicën e komunave. Janë njerëzit më kredibilë të cilët janë kandidatë dhe janë marrë vendime për këta kandidatë. Sipas sondazheve që po i realizojmë pothuajse po prijmë në shumicën e komunave në vend”, ka deklaruar ajo.

Nga të gjitha partitë zyrtarizimin e më së shumti kandidatëve deri më tani e ka bërë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me gjithsej 17 sish.

“Në komunat të cilat sot i udhëheq AAK-ja kemi kandiduar me të njëjtit kandidatë ndërsa presim që edhe në komunat e tjera të fitojmë sepse në aspektin e zhvillimit lokale ne jemi partia e cila vërtetë ka treguar efektivitet dhe praktikë në terren kanë qenë kryetarët tanë”, ka thënë nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi.

Sipas planit operacional të KQZ-së, afati për aplikim të subjekteve politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje përfundon më 16 gusht. Ndërkohë KQZ-ja ka kohë deri më 1 shtator që të marrë vendimin për certifikimin apo jo të subjekteve politike dhe të kandidatëve për zgjedhjet lokale.