Arbëri

Rama kritikon BE-në: Kosovarët në diktaturë lëviznin lirshëm, në demokraci janë të izoluar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kritikuar Bashkimin Evropian për mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Në edicionin e 23-të të “Symi Symposium”, organizuar e drejtuar nga ish-kryeministri grek, George Papandreou, Rama ka kritikuar BE-në duke thënë se qytetarët e Kosovës në diktaturë lëviznin lirshëm në Evropë, ndërsa tash edhe pse të çliruar janë të bllokuar.

“Gjatë diktaturës, ata nuk njiheshin si qytetarë të barabartë të ish Jugosllavisë, por lëviznin lirisht, shkonin në Gjermani, në Zvicër për të punuar. Tani, ata janë çliruar nga demokracitë perëndimore, por nuk mund të lëvizin. Ndërkohë që BE-ja ka vendosur një regjim të liberalizimit të vizave me 100 milionë njerëz, Gjeorgjinë e të tjerë, Kosova është e bllokuar me më pak se 2 milionë njerëz, të cilët nuk lëvizin dot. Është e vetmja popullsi në Evropë që nuk mund të lëvizë dhe kanë përmbushur të gjitha kriteret e Bashkimit Evropian. Bashkimi Europian tha ‘po’ dhe pastaj doli çështja e demarkacionit me Malin e Zi. Është thënë gjithmonë dhe nga Angela Merkel, bëni demarkacionin, pastaj do të ndodhë. E bënë, ndërkohë regjimi pa viza nuk u vendos e tani u thuhet luftoni krimin dhe korrupsionin”, ka thënë ai duke shtuar se “të luftosh krimin dhe korrupsionin është një histori pa fund”.

Mini-Schengeni rajonal

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shprehur sërish habinë përse Kosova e ka refuzuar iniciativën e Mini-Schengenit rajonal. Teksa e ka quajtur çmenduri refuzimin, ai ka pyetur se “Si mund të mos duash një gjë që të bën të lirë?”

Rama ka shtuar se nuk i pëlqen as nocioni i tillë “sepse është shumë i gjatë për t’i pëlqyer gjërat mini”.

“Ne e nisëm që në krye të herës procesin si një zonë rajonale e Shengenit për ta përkufizuar se çfarë ishte kjo, që do të thotë, një zonë ku zbatohen të katërta liritë. Kjo ishte, prandaj e emërtuam kështu. Humbëm disa vjet, pasi Aleksandër Vuçiq donte lëvizjen e lirë të mallrave, të kapitalit, por jo të njerëzve, për arsyen e thjeshtë se, nëse do binte dakord për këtë, nënkuptonte që kufiri midis Kosovës dhe Shqipërisë do të ishte praktikisht formal. Ai ndërkohë e hodhi hapin më tej, që është shumë e rëndësishme, sepse i thashë që, nëse nuk e pranon plotësisht për të katërta liritë, atëherë ne po bëjmë sërish atë çka kemi bërë gjatë gjithë historisë sonë, bëhemi karikatura e origjinalit. Jo, nuk mund ta bëjmë këtë. Nëse kemi shërbimet e kapitalet, nuk mund t’i kemi pa njerëzit. Më në fund u ra dakord dhe kjo hap një horizont të jashtëzakonshëm mundësish. Kosova dhe Albini nuk është këtu, por do doja të ishte këtu dhe pse, pavarësisht kundërshtive pafund, pra, Kosova e Bosnja nuk duan. Pse? Si mund të mos duash një gjë që të bën të lirë?”, ka deklaruar Rama.

Sipas tij, kjo ka qenë iniciativë e cila është krijuar nga tri vendet por e hapur për t’i mirëpritur të tjerët.

“Nuk mbështetet tek konsensusi e gjëra të tilla, është dypalëshe. Pra, nëse duam ta bëjmë ketë gjë plotësisht me Maqedoninë e Veriut, e bëjmë. Nëse Kosova do ta bëjë me ne, me Maqedoninë e Veriut, me këdo tjetër, nuk do ta bëjë me Serbinë, le të mos e bëjë. Është shumë e qartë që Serbia nuk mund të thotë që Kosova ose duhet ta bëjë me të gjithë, ose me askënd. Është gjithçka e hapur e kjo mund të na lejojë që të ecim shumë larg. Çfarë nënkupton të jesh i izoluar nga BE-ja e të jesh i izoluar edhe mes vetes? Është çmenduri, tërësisht çmenduri. Natyrisht ka edhe teori konspirative që kjo është Jugosllavia e re, plus Shqipërinë. Kjo është alternativa që evropianët po na japin në mënyrë që të na çojnë diku”, ka shtuar ai.

Ai në këtë mbledhje ka kritikuar BE-në edhe për mosmbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare për Shqipërinë. Rama ka thënë se Evropa ka dështuar në dy përpjekjet e para duke shtuar se në dy dasmat e para “nusja” nuk erdhi, e për të tretën nuk do të ketë përgatitje.

Sipas Ramës, shtetet e Ballkanit janë pengje të nacionalizmave të BE-së. Ai ka thënë se integrimi i Ballkanit Perëndimor po varet nga këto nacionalizma.

“Unë vetë në Shqipëri e kemi parë veten për dasmën e madhe me të gjitha dekorimet sepse Komisioni Europian tha se jemi gati për procesin e integrimit. Kur e thotë organi i Komisionit Europian pasi është organi më i rëndësishëm. Kjo do të thotë që je gati të vazhdojë. Dasma e parë, nusja nuk erdhi, dasma e dytë nusja nuk erdhi, edhe nuk ka përgatitje për dasmën e tretë, vafsh në djall. I tërë vendi mbetet sikur është tradhtuar. Në fund ne duhet të vazhdojmë sepse ky proces nuk është i rëndësishëm. Është i rëndësishëm për fëmijët tanë. Procesi i integrimit bazohet në njohuritë e ndërtimit të shtetit, dhe pa këtë dije ne nuk mund t’i bëjmë vendet tona shtete funksionale të së drejtës. Ndaj duhet të ecim përpara. Tani njihet ose jo nga Brukseli, kjo nuk duhet të na lërë pa gjumë. BE ka nevojë për Ballkanin sa ç’kemi ne nevojë për ta. Shembulli ishte i refugjatëve që duhet të vinin në Greqi dhe të dilnin nga Maqedonia e Veriut dhe pastaj të shkonin në Serbi. Sepse Ballkani Perëndimor rrethohet nga kufijtë e BE-së. Është një gropë në mes të BE-së. Nëse dikush mund t’i vendosësh në xhep. Duhen në vendin e vetë. Ka dhe faktor të tjerë, kinezët me të cilët patëm një martesë të lumtur dhe një divorc të hidhur thoshin se ne kemi Shqipërinë dhe nuk na duhet Evropa”, ka thënë Rama.

Pavarësisht kritikave të shumta ndaj BE-së, Rama ka deklaruar se Shqipëria do të jetë e fundit që do ta tradhtojë Evropën.