Dy ekipet mbrojtëse të të akuzuarve nga Specialja, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, do t’i bashkërendojnë veprimet hetimore për të mbledhur prova në favor të klientëve të tyre.
Një gjë e tillë është bërë e ditur në seancën paragjyqësore të radhës, që është mbajtur të mërkurën.
Ata kanë paralajmëruar që kjo fazë mund të vazhdojë diku deri në fundin e muajit gusht. Në këtë fazë hyjnë edhe intervistimi i disa personave në Serbi, e kanë thënë se informacione kanë kërkuar edhe nga agjenci e ministri brenda në Kosovë.
“Ka disa fusha ku mund të ketë nevojë të vazhdojnë hetimet. Nuk parashikojmë që kjo t’i vonojë çështjet më tej. Do të ishim gati për gjyq pak kohë pas 30 gushtit dhe kemi arritur këtu ku kemi thënë që do të ishim”, ka thënë Jonathan Rees, avokat i Gucatit.
“Ka shumë gjasa që hetimet të vazhdojnë edhe për një kohë, sepse ka linja hetimi që duhet t’i ndjekim më tej. Ka disa gjëra që duhet t’i hetojmë më tej, kemi një numër kërkesash që presim t’i bëjmë, u kemi bërë ministrive e agjencive të ndryshme në Republikën e Kosovës nga të cilat kërkojmë informacione. Kërkojmë të intervistojmë një numër personash në Republikën e Serbisë, për shkak të përfshirjes në këto çështje”, është shprehur Toby Cadman, avokat i Haradinajt.
Në këtë seancë është thënë që dosja e Prokurorisë do t’i kalojë Gjykatës pas dy ditësh.
Prokuroria do të kërkojë masa mbrojtëse për dëshmitarët në rastin e Gucatit e Haradinajt.
Prokurori i rastit ka thënë se ka shumë dokumente të cilat janë kërkuar nga mbrojtja, por për të cilat nuk ka dashur të flasë më shumë.
“Do bëjmë kërkesa me kohë në lidhje me masa mbrojtëse për dëshmitarët tanë dhe do ta bëjmë kërkesën në kohën e duhur përpara trupit gjykues. Në lidhje me nxjerrjen e dokumenteve, ka shumë dokumente të kërkuara nga mbrojtja për të cilat në këtë moment nuk duam të nxjerrim informacione të tjera. Ka një kërkesë të pazgjidhur ende të palës së tretë që nuk është përgjigjur ende”.
Hysni Gucati, së bashku me Nasim Haradinajn, janë arrestuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar vitin e kaluar.
Ata po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.