1 perditesime
23:22

Nga nesër, FSK-ja nis shpërndarjen e ujit për banorët e Deçanit

Izet Zenuni, shef i Shtabit emergjent në Deçan, thotë se nga nesër anëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), do t’u dalin në ndihmë banorëve të fshatrave të Deçanit, për çka do që të kërkohet nevoja.

Zenuni në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, tha se ministri i mbrojtjes Armend Mehaj, ka ofruar ndihmë në logjistikë e staf.

Sipas Zenunit, FSK-ja nga nesër do të shpërndajë ujë nëpër fshatrat ku ka nevojë.

Ditëve të fundit, furnizimi me ujë në disa fshatra të Deçanit është ndërprerë pas dyshimit se janë helmuar qindra banorë nga konsumimi i tij. Analizat nuk e kanë konfirmuar ende këtë hipotezë, por dyshimet më të mëdha janë tek uji. Sot është lëshuar uji vetëm për nevoja sanitare, jo edhe për pije.

“FSK-ja ka zbarkuar në Deçan dhe nesër do të vazhdojë ashtu siç kërkojmë ne”, ka thënë Zenuni.

Kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj, sot ka shpallur gjendje emergjente për shkak të numrit të madh të banorëve që kanë kërkuar ndihmë, gati të gjithë me simptoma të helmimit.

Vetëm sot, janë paraqitur për trajtim ambulantor e spitalor rreth 350 qytetarë.

“Ky është një numër i madh për një vend të vogël si Deçani”, ka shtuar Zenuni.

Ai tha se niveli qendror ishte i shkëputur nga ajo që po ndodh në Deçan deri më sot, kur këtë vend e kanë vizituar presidentja dhe ministra të kabinetit qeveritar.

23:08

Rreth 350 persona kërkuan ndihmë në QKMF-në e Deçanit sot

Egzon Rexhaj, mjek kujdestar në QKMF-në e Deçanit, ka thënë se që nga mëngjesi i sotëm rreth 350 persona kanë kërkuar trajtim aty për shkak të simptomave që kanë ndjerë, për shkak të, siç dyshohet helmimit.

Ai për KTV-në ka thënë se ka pacientë që janë dërguar nëpër spitalet regjionale, kryesisht ata me simptoma më të rënda.

“Në QKMF qysh nga mëngjesi janë vizituar rreth 350 pacientë që kanë simptoma disa të lehta disa më të rënda. Ata me simptoma të lehta janë trajtuar me terapi orale, ndërsa ata me simptoma më të rënda me terapi parenterale. Një numër i vogël me simptoma më të rënda janë referuar nëpër spitale regjionale ku po trajtohen atje”, ka thënë ai.

Rexhaj ka thënë se QKMF-ja e Deçanit ka rritur kapacitetet me mjekë e infermierë që prej paraqitjes së rasteve. Ka shtuar se në dispozicion janë ofruar edhe staf nga spitalet regjionale.

“Për shkak të kësaj gjendje stafi i QKMF-së i ka rritë kapacitete në mjekë, infermierë e shtretër. Ata që janë në dispozicion janë thirrur të gjithë dhe vijnë herë pas here. Sipas informacioneve edhe komunat e tjera janë shprehë gatishmëri për mjekë nëse ka nevojë”.

Sot është bërë edhe furnizimi me barna në këtë qendër pasi ishte thënë se ka mungesa të mëdha të barnave. Një kontingjent është dërguar atje nga QKUK-ja.

Të shtrirët në QKMF-në e Deçanit rrëfejnë se si Burim Thaçi, babai i një 20-vjeçari të helmuar ka thënë se gjatë gjithë ditës ka pasur simptoma të helmimit. Ai ka thënë se ai ka qenë mysafir në fshatin Prilep të Deçanit. Ndërkaq, Shani Kadrija i shtrirë në QKMF ka thënë se për një javë ka pasur simptoma. Ai ka shtuar se barnat i kanë marrë nga QKMF-ja dhe nuk i kanë blerë vet. Kadrija ka shtuar se tetë anëtarët e familjes së tij janë helmuar dhe kanë marrë trajtim mjekësor.