Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se është i shqetësuara me gjendjen e rëndë nëpër të cilën po kalojnë qytetarët e Deçanit.
Ai ka thënë se helmimi i qytetarëve të kësaj komune nuk është vetëm çështje e shëndetit publik, por edhe çështje e sigurisë nacionale dhe kërkon mobilizim të gjithëmbarshëm të të gjitha niveleve të qeverisjes.
“Jam i brengosur edhe për neglizhencën e Qeverisë qendrore, e cila me shumë vonesë po e trajton situatën, në kohën kur duhet të jetë plotësisht pranë qytetarëve të kësaj komune. Duhet të ndërmerren masa të shpejta për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve të dëmtuar, mes tjerash duke siguruar medikamente, staf shëndetësor shtesë, si dhe ujë të pijes të sigurt. Po ashtu, duhet ofruar gjithë ndihmën e nevojshme institucioneve lokale dhe siguri për të gjithë qytetarët e Deçanit, duke mos lënë hapësirë për panik”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Krasniqi ka ftuar institucionet përgjegjëse që ta hetojnë rastin dhe të dalin me konkluzione sqaruese sa më shpejt!