Arbëri

Numri i të vaksinuarve nën 7 mijë në ditë

Ndonëse është paralajmëruar që nga 15 qershori do të ketë vaksinim masiv me nga 15 mijë të vaksinuar në ditë, kohëve të fundit ky numër ka rënë dukshëm. Më 6 korrik ishin mbi 13 mijë qytetarë të imunizuar, e ditëve në vijim shifrat nuk e kanë kaluar 7-mijëshin

Prej 15 qershorit të këtij viti, Qeveria e Kosovës kishte lajmëruar se do të fillonte vaksinimi masiv sipas planit shtetëror. E që nga ajo ditë asnjëherë nuk u arrit numri i premtuar, madje kohëve të fundit numri i të vaksinuarve brenda 24 orëve nuk po arrin ta tejkalojë 7-mijëshin.

Arsyeja e rënies së numrit të të imunizuarve po del të jetë hezitimi i qytetarëve për ta marrë vaksinën “AstraZeneca”, edhe pse kjo e fundit është e certifikuar nga organizatat ndërkombëtare të shëndetësisë, siç janë EMA evropiane, si dhe FDA amerikane.

KOHA ka provuar të kontaktojë me Ministrinë e Shëndetësisë, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërkohë ka ditë që koordinatori i Qendrës së Vaksinimit në Prishtinë, Niman Bardhi, nuk është duke dalë në konferencë për media.

Në sallën “1 Tetori” u pa një numër i vogël qytetarësh. Sipas tyre procesi po shkon me rregull.

“Në dozën e parë kam pasur dhimbje bukur shumë, nja dy ditë a tri, kom pasur njëfarë temperature të brendshme e m’kaloi ajo. Mirë, faleminderit, mirë m’kanë pritë”, ka thënë Nazmi Gerbeshi, qytetar i Prishtinës.

E Bedrie Rexha nga Prishtina ka bërë thirrje që të mos ketë hezitime për ta marrë vaksinën

“Herën e parë e kom marrë s’mka mundu hiç, tash e mora s’e ndjeva, shumë mirë jam. Duhet patjetër me e marrë, s’ka pse me u frikësu”, ka thënë Rexha.

Gjatë ditës së hënë, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, dhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, janë imunizuar kundër COVID-19. Të dy kanë bërë thirrje tek qytetarët që të vaksinohen.

Ditë më parë ishte imunizuar edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili kishte bërë po të njëjtën thirrje. Sipas njoftimit të MSH-së, në 24 orët e fundit janë dhënë 6361 doza të vaksinës. Pesë raste kanë rezultuar pozitive nga testimi i 1050 mostrave dhe 6 persona janë shëruar. Numri i rasteve aktive në nivel vendi është 131.