Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se propozimi i Qeverisë Kurti për një ligj të ri për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme është ende herët të ndodhë. Në anën tjetër, iniciativën për veting në sistemin e drejtësisë e ka cilësuar si mënyrë të duhur për të kthyer besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Sipas tij, me këtë ligj “po ofrohet një rrugë e tretë e më e shkurtër për t’u kthyer te gjyqësori i njëjtë që themi se është i kapur e s’po i ushtron kompetencat që i ka me ligj”.
“Kosova nga viti 2013 e ka inkorporuar në Kodin Penal sistemin tradicional të sekuestrimit të pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme. Me ngritjen e aktakuzës, prokurori si pjesë të saj duhet të identifikojë pasurinë e fituar në mënyrë të tillë dhe më pas bëhet kërkesë për konfiskim. Efikasiteti lidhet me mungesën e profesionalizmit dhe guximit të prokurorëve që të ushtrojnë kompetencat në bazë të ligjit. Në bashkëpunim me BE-në, u bë edhe Ligji për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së fituar përmes veprës penale. Përmes këtij ligji i është dhënë mundësi e re që prokurori një të dënuari për vepër penale, për periudhë të caktuar kohore t’ia identifikojë pasurinë dhe pasurinë e dërgon në gjykatë e i pandehuri duhet ta vërtetojë si e ka fituar. Kur të dyja kanë dështuar po duam rrugë të tretë të shkurtër e të kthehemi te i njëjti gjyqësor që themi se është i kapur e s’po i ushtron kompetencat që i ka me ligj”, ka thënë ai në emisionin “Desku” në KTV. “Kanë dështuar mekanizmat nga të njëjtit njerëz, pse duhet të punojë me ligj të ri?”
Miftaraj ka thënë se kushtet e punës në sistemin e drejtësisë në vend janë në nivel shumë të mirë.