Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se në zgjedhjet nacionale Lista Guxo ka garuar bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe së bashku, sipas saj kanë arritur që me forcën e votës të bëjnë ndryshimin e pritur nga qytetarët e Kosovës.
Ajo është shprehur e bindur që garimi i përbashkët edhe në zgjedhjet lokale do të sjellë përfundimisht ndryshimin e shumëpritur në Kosovë.
Gërvalla në Facebook ka shkruar se Lista Guxo ka vendosur që në zgjedhjet e ardhshme komunale të marrë pjesë në lista të përbashkëta me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Kjo jo vetëm për arsye se Lista e Referendumit (VV + Guxo + Alternativa) arriti fitoren plebishitare në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti, por edhe sepse koalicioni ynë i përbashkët qeveritar ka dëshmuar se din dhe donë ta bëjë ndryshimin e premtuar. Koalicioni synon shtetin ligjor e me mundësi të barabarta për të gjithë. Askush nuk ka të drejtë që në emër të Listës Guxo, në emër të frymës dhe konceptit të saj politik, të mbledhë vota me destinacion tjetër. Lista Guxo përfaqëson ndryshimin. Të gjithë ata që përqafojnë vizionin politik të Listës Guxo duhet të synojnë ndryshimin e premtuar rrënjësor në vend dhe jo të qenit patericë e koncepteve të tjera politike, të cilat në zgjedhjet e 14 shkurtit janë ndëshkuar rëndë nga qytetarët e vendit”, ka thënë ajo.
Sipas saj, ndryshimet që po vijnë në Kosovë do të krijojnë perspektivë më të mirë për të gjithë. Kjo sipas saj nuk arrihet me ndarje të posteve shtetërore për militantë partiak, pa ekspertizë e kompetencë profesionale.
“Ata që ndihen të zhgënjyer për faktin që përzgjedhja në institucionet shtetërore tashmë bëhet në bazë të kritereve profesionale e jo duke shpërblyer militantë partiak, nuk e kanë kuptuar qartë mesazhin që votuesi kosovar dha në zgjedhjet nacionale. Njoftojmë anëtarët dhe simpatizantët e Listës Guxo se gjatë ditëve të ardhshme, së bashku me dy deputetët e Ferizajt të Listës Guxo dhe me mbështetësit dhe aktivistët e shumtë do të takohemi për t’u koordinuar rreth hapave të mëtejmë. Takime të tilla do të mbahen në të gjithë vendin”, ka thënë ajo.