Pak është kuptuar rreth bisedimeve të së martës në Bruksel mes emisarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe palës kosovare të udhëhequr nga zëvendëskryeministrin Besnik Bislimin.
Korrespodenti i KOHËS Augustin Palokaj ka thënë se nuk ka pasur hollësi e as deklarime për media pas takimit disa-orësh. Megjithatë, ka shtuar se pala kosovare ka sqaruar se si e sheh dialogun përgjatë viteve, për çka tha se BE-ja ka qenë e interesuar ta dëgjojë një version të tillë.
“Delegacioni i Kosovës në mënyrë të hollësishme ka raportuar atë si e sheh gjithë atë që ka ndodhur në dialog në të kaluarën, marrëveshjet që janë zbatuar, por edhe për shumë marrëveshje që pala kosovare mendon që Serbia nuk i ka zbatuar. Duket se dhe zyrtarët e BE-së, Lajçak dhe ekipi i tij kanë dashur të dëgjojnë në hollësi palën kosovare pasi siç shihet nga ndryshimet në qeverinë e Kosovës ka ardhur edhe tek ndryshimi në qasje i Kosovës në këtë dialog”, ka thënë ai në Deskun e KOHËS.
Palokaj ka thënë se nuk sheh shumë mundësi që së shpejti të arrihet një marrëveshje.
“Nuk shoh shumë hapësirë për arritjen e ndonjë marrëveshje së shpejti. Mungon edhe një ambicie e BE-së sepse BE nuk po prononcohet se çka kërkon nga dialogu në një afat të shkurtër pos që përsërisin se synimi është një marrëveshje gjithëpërfshirëse”.
Ai ka thënë se sa i përket zbatimit të pikës për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Serbisë ia ka dhënë mbështetjen BE-ja.
“Sa i përket kërkesës së Serbisë për të zbatuar pjesën e marrëveshjes për themelimin e asociacionit, duket se Serbia e ka mbështetjen e BE-së, por këtu parashtrohet pyetja edhe nëse pala kosovare dëshiron ta zbatojë atë, në bazë të Kushtetutës apo siç do Serbia”, tha ai.