Arbëri

Nuk pritet progres i madh për Kosovën nga presidenca sllovene e BE-së

Foto: Reuters

(EkonomiaOnline) - Marrja e udhëheqjes së presidencës së Bashkimit Evropian për gjashtë muaj nga Sllovenia, është lajm i mirë për Ballkanin Perëndimor, por sipas njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare, kjo nuk do të sjell ndryshime drastike për çështjen e Kosovës.

Drejtori i institutit EPIK, Demush Shasha, tha se Sllovenia mund të lobojë për liberalizimin e vizave, por ai shprehet skeptik se mund të ketë progres në këtë çështje.

Sipas Shashës, shteti slloven do të jetë i fokusuar për të ofruar çfarëdo mbështetje që do të nevojitet për dialogun Kosovë-Serbi.

“Sidoqoftë për këtë çështje (liberalizimin e vizave) duhet të jemi skeptik, pra nuk duhet pritur që gjatë gjashtë muajve te ardhshëm do të ketë ndonjë progres të ndjeshëm, pra fokusi edhe mbështetja e Sllovenisë në këtë drejtim është diçka e mirëseardhur. Sa i përket dialogut, mbështetja e Sllovenisë do të koncentrohet në mbështetjen dhe ofrimin e çfarëdo ndihme të mundshme përfaqësuesit të lartë, Borrell dhe Lajçak për të avancuar dialogut në këto gjashtë muaj, pasi ka një afërsi me Ballkanit”.

Po ashtu edhe njohësi i politikave të jashtme, Arbnor Sadiku, thotë se është lajm i mirë marrja e presidencës nga Sllovenia, pasi njeh më mirë rrethanat në Ballkanin Perëndimor.

“Është një lajm i mirë në kuptimin që një vend që ka qenë vend i ish-Jugosllavisë, tani është një vend që është integruar në BE dhe që merr presidencën e BE-së, në kuptimin e asaj që mund t’i ndihmojë Kosovës në përshpejtimin e negociatave për liberalizim të vizave si dhe vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi me hapa të përshpejtuar se deri më tani”.

Sadiku thotë se kjo do të sjell lehtësira në përshpejtimin e negociatave për liberalizim të vizave dhe për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Sllovenia parasheh mbajtjen e një samiti në muajin tetor në përpjekje për të përshpejtuar procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Ministri i Punëve të Jashtme i Sllovenisë, Anzhe Logar gjatë paraqitjes së përparësive të ka thënë se “e ardhmja evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vazhdimi i procesit të zgjerimit duhet të bëhen interesi strategjik i Bashkimit Evropian”.