Më 6 dhe 7 korrik, një delegacion i Kosovës do të ketë takime bilaterale me Bashkimin Evropian dhe një takim trepalësh me Serbinë dhe BE-në në Bruksel, në kuadër të dialogut mes dy shteteve, ka konfirmuar për KOHËN zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Bislimi, që është i deleguar nga kryeministri Albin Kurti për çështjen e dialogut dhe integrim evropian, pritet ta udhëheqë delegacionin e Kosovës. Delegacionin e Serbisë raportohet se do ta udhëheqë drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Ky do të jetë takimi i parë mes delegacioneve, pas takimit që liderët kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, patën më 15 qershor.
Radio Evropa e Lirë ka raportuar të premten se në këto takime pritet të diskutohet për marrëveshjet e arritura deri më tash dhe për shkallën e zbatimit të tyre.
Pas këtij takimi, pritet takimi në nivel më të lartë, Kurti-Vuçiq, kah fundi i korrikut.
-
Nga: Valbona Bytyqi
-
2 korrik 2021 21:08
-
Shpërndaje në: