6 perditesime
17:23

Nuk kalon propozim-rezoluta e PDK-së nga debati për situatën ekonomike si pasojë e pandemisë

Me 14 vota për, 59 kundër dhe asnjë abstenim, nuk ka kaluar në Kuvendin e Kosovës propozim-rezoluta e Partisë Demokratike të Kosovës nga debati parlamentar në lidhje me situatën ekonomike si pasojë e pandemisë me COVID-19.

“Duke u bazuar në gjendjen e rënduar ekonomike nga pandemia dhe mosveprimin e Qeverisë, ne si PDK kemi kërkuar debat, debati ka ndodhur, e kemi propozuar një draft rezolutë të cilën deputetët e kanë para vetës dhe i ftoj ta votojnë”, ka thënë Hamza.

Mirëpo rezoluta nuk ka kaluar dhe me këtë Kuvendi ka mbyllur punime e seancës të së mërkurës.

16:00

LDK-ja kërkon që të tërhiqet një rekomandim ndaj KPMM-së

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se çështjet që u ngritën kanë të bëjnë me disa problematika.

E para, sipas tij ka të bëjë me ruajtjen e ambientit dhe me shqetësimet e vazhdueshme për dëmtimet që i janë bërë ambientit me të cilat, thotë se pajtohen që të ndërtohen mekanizmat për t’u ndaluar këto veprimtari dhe të ndërtohen në mënyrë më efikase.

Çështja e dytë sipas Gashit ka të bëjë me procedurën e vendimmarrjes në Komision.

“Problemi është që ky Komision ka dalë nga fushveprimtaria e vetë nuk është në përgjegjësi të tij të kërkojë themelimin e Komisioneve hetimore. Problemi i tretë është te procedura e propozimit. Ne jemi për që të formohet një komision i tillë problemi qëndron te mënyra e propozimit. Rekomandimi në mënyrën që është shkruar nuk i plotëson kushtet formalo-juridike që të përkrahet. Sepse ligji thotë se formimi i Komisionit duhet t’i ketë të caktuar, numrin e anëtarëve të Komisionit, fushëveprimtarinë, buxhetin, kohëzgjatjen dhe kryesimin e Komisionit. Do të ishte mirë që Komisioni ta tërheqë këtë rekomandim dhe të fillojë procedurën prej fillimi. Është e pa dinjitetshme kur e sheh që kryetarja e Komisionit nuk është në seancë me dalë dhe me akuzu që nuk e ka nënshkruar një rekomandim me të cilin ajo nuk pajtohet. Është e drejtë e deputetëve që të mos nënshkruajnë diçka për të cilën besojnë se është gabim”, ka thënë ai.

15:48

PDK-ja i kundërshton rekomandimet që i adresohen KPMM-së

Deputeti i PDK-së, Fadil Nura i ka kundërshtuar rekomandimet që i adresohen KPMM-së.

Kjo sipas tij për faktin se në masën më të madhe të tyre nuk kanë mbështetje në të gjeturat e raportit të auditorit dhe janë në kundërshtim me Ligjin për Miniera dhe Minerale dhe janë në kundërshtim të plotë procedural.

Nura ka thënë se rekomandimi i parë është një rekomandim që nuk ka bazë në raport të auditimit.

“Përveç mungesës së bazës ku thirret ky rekomandim po ashtu është në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit ku thuhet se Kuvendi themelon këto komisione me dy të tretat e votave të deputetëve të pranishëm. Një rekomandim i tillë kaq jo profesional është vazhdim i shpërfaqjes së një mendësie që tash e 100 ditë po e kultivon kjo mazhorancë e cila në mungesë të njohurive po përpiqet ta zëvendësojë me numra matematikor e aritmetikë. Kërkoj nga kryetari tu thotë jo precedentëve të tilla. Edhe rekomandimet e tjera janë në kundërshtim me Ligjin për Miniera dhe Minerale. Si anëtar i Komisionit ju ftoj veçanërisht kryetarin që ta zbatojë rregulloren dhe këto rekomandime të rikthehen në Koordinim me Komisionit për Bujqësi që të adresohen në mënyrë personale”, ka thënë ai.

15:34

Bajralia: Të hetohen licencat e dhëna nga KPMM-ja

Deputetja Arta Bajralia ka paraqitur rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të performacës “Procesi i licencimit të shfrytëzuesve të mineraleve ndërtimore e industriale dhe mbrojtja e ambientit nga kjo veprimtari.

Ajo ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të themelojë komision hetimor që të hetohen të gjitha licencat dhe lejet për hulumtim dhe lejet për shfrytëzim të dhëna nga Komisioni për Miniera dhe Minerale.

Bajralia ka kërkuar që Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit dhe KPMM të marrin veprimet e nevojshme që të krijohet një databazë për monitorimin e lejeve dhe licencave për hulumtim dhe shfrytëzim.

“Të krijohet një listë e zezë për operatorë ekonomikë që nuk i përmbahen kushteve dhe kritereve të shfrytëzimit. Të mos bëhet dhënia e licencës ose vazhdimi I saj pa kompletimin e të gjithë dokumentacionit të nevojshëm. Procesi i dhënies së licencave nuk ka ofruar siguri të mjaftueshme që të plotësohen të gjitha kriteret nga operatorët ekonomikë. Ne si Komision i ftojmë deputetët t’i votojnë këto rekomandime që kanë dalë nga ky Komision”, ka thënë ajo.

Deputeti Enver Haliti ka thënë ka qenë qasja e  disa partive që nuk kanë qenë të pajtimit rreth rekomandimeve që kanë dalë nga Komisioni ku disa prej tyre edhe kanë votuar kundër.

“Është për çudi dhe vlen të theksohet se edhe pse ka marrë shumicën e votave kryetarja e Komisionit nuk e ka nënshkruar raportin për dërgim në seancë plenare. Me çka është një precendent që nuk duhet të përsëritet dhe qëndrimet tona personale nuk duhet të reflektohen nëse ato rekomandime i delegohen seancës për vendimmarrje pavarësisht nëse kemi qëndrime kundër shumicës së Komisionit”, ka thënë ai.

13:02

Deputetët kritikojnë Fondin për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike, kërkohet hetim

Kuvendi i Kosovës me 63 vota për, asnjë kundër ka miratuar rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike për Raportin e Auditimit të performancës për raportin “Administrimi i programit për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike dhe vlerësimi i rezultateve”.

Deputetët patën kritika të shumta për menaxhimin e Fondit për Trajtimin jashtë institucioneve shëndetësore, derisa u kërkua që për të njëjtin të ketë edhe një hetim.

Deputetja e LVV-së, Mirlinda Sadiku, në emër të komisionit ka paraqitur rekomandimet, ku një nga rekomandimet ishte që të bëhet plotësim-ndryshimi i udhëzimit administrativ për trajtim jashtë institucioneve publike.

“Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me të gjitha institucionet relevante vartëse të bëjnë plotësim ndryshimin e udhëzimit administrativ për trajtim jashtë institucioneve publike, me qëllim të përditësimit të kritereve, shërbimeve shëndetësore, çmimores, si dhe rregullimit të mënyrës së raportimit duke filluar nga komisionet në kuadër të SHSKUK-së, komisionit vlerësues dhe bordit ekzekutiv të Fondit. Nga ana e Fondit për Sigurime Shëndetësore të bëhet barazimi i plotë financiar çdo gjashtë muaj me të gjitha institucionet private shëndetësore brenda dhe jashtë vendit për të gjitha shërbimet shëndetësore. Bordi dhe drejtori i Shërbimit Klinik spitalor pas raportimit obligativ te Komisioni për kërkesat dhe aprovimet për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike në vend të bëjnë vlerësimin e arritjeve, ngecjeve dhe nevojave sa i përket infrastrukturës, pajisjeve dhe resurseve humane me qëllim të reduktimit të nevojave për trajtim jashtë vendit dhe institucioneve shëndetësore publike dhe raportin me rekomandime t’ia paraqes ministrit të Shëndetësisë së paku dy herë në vit”, tha ajo.

Sadiku, tha se rekomandim tjetër është edhe që Ministria e Shëndetësisë në rastin e përgatitjes së strategjisë sektoriale të shëndetësisë 2021-2025 për zhvillim të sektorit të shëndetësisë të merr parasysh nevojat e institucioneve shëndetësore, si dhe nevojat e pacientëve me qëllim të ngritjes së numrit dhe cilësisë së shërbimeve shëndetësore në vend dhe minimizimit të nevojës jashtë institucioneve publike në vend.

Rekomandimi i fundit i Komisionit, ajo tha se është që në bazë të rregullta kohore së paku dy herë në vit të bëhet përditësimi i listës së sëmundjeve për të cilat ofrohet mbështetje e nevojshme për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike në vend.

Deputeti i LVV-së, Eman Rramani, tha se trajtimi shëndetësor jashtë vendit është një nga çështjet që duhet ta brengos secilin, teksa tha se keqmenaxhohen e keqpërdoren miliona euro të taksapaguesve.

“Trajtimi shëndetësor jashtë vendit është njëra nga çështjet që duhet të na brengos dhe të bëjë të ndjehemi keq secili nga ne. Mënyra se si shpenzohen, keqmenaxhohen, keqpërdoren miliona euro të taksapaguesve dhe se si trajtohen pacientët që shpesh herë vdesin duke pritur në lista, nga padrejtësitë që u bëhen për të përfituar një trajtim shëndetësor nga shteti. Në vitin 2018 janë bërë pagesa për trajtim shëndetësor jashtë vendi në vlerë prej 9 milionë e 192 mijë e 553 euro, ndërsa në vitin 2019 janë bërë 8 milionë e 699 mijë e 979 euro. Kurse borxhi që Fondi ka në fund të vitit 2019 është 11 milionë euro e 75 mijë e 724 euro. 60 për qind e këtyre pagesave për vitin 2018 janë bërë në spitale të Turqisë, ndërsa në vitin 2019 vlera është 5 milionë e 628 mijë e 520 euro. Në Kosovë për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike në vitin 2018 janë bërë pagesa në vlerë prej 1 milionë 272 mijë e 259 euro, ndërsa në vitin 2019 1 milionë e 232 mijë e 385 euro”, tha ai.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se gjatë kohës sa kishte qenë ministër kishte kërkuar një raport për tri vitet e fundit nga Bordi për trajtim jashtë spitalor, por që tha se i njëjti nuk është pjesë e këtij raporti që po diskutohet në Kuvend.

Për këtë ai tha se kërkon që të ketë një hetim se çka ka ndodhur me fondet për trajtim jashtë vendit dhe i janë trajtuar ato.

“Gjendja reale që është paraqitur nga bordi për trajtim jashtë spitalor aty theksohet dhe është raportuar që shuma e grumbulluar e borxhit afrohet 20 milionë, ndërsa këtu nuk është theksuar, nuk e di a ka fshehje, a është qëllimkeqe apo ka ndonjë arsye tjetër, nuk po dua as unë të jem shumë ndërhyrës në këtë pjesë, sepse kjo ka të bëjë deri në vitin 2019. Mendoj që duhet të ketë një hetim goxha bazik se çka ka ndodhur me këto fonde dhe si janë trajtuar këto fonde, tek atëherë mund të kemi një pasqyrë reale... Mendoj që aty duhet të kemi një hetim, ndoshta edhe hetim penal se pse janë grumbulluar ato borxhe, pse është rritur shuma, si janë lejuar dhe raporti që më të drejtë disa nga kolegët e theksuan me spitalet jo publike edhe në Kosovë edhe jashtë vendit dhe lidhja që ekziston nga referimi i pacientit deri në trajtimin apo mostrajtimin e tij”, tha ai.

I ashpër me kritika ka qenë deputeti i LVV-së Haxhi Avdyli, i cili ka kërkuar që programi i trajtimit jashtë vendit të hiqet nga Fondi për Sigurim Shëndetësore dhe të kthehet në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Ky Fond për trajtim jashtë vendit është administruar në mënyrën më të keqe, nuk është Fondi për sigurime shëndetësore trajtim jashtë vendit, por edhe këtë e kanë bërë si është më së keqi. Jo vetëm që nuk na kanë futur në borxh, por po i jepet kahje kontributeve më shumë në drejtime tjera edhe me këtë mu po ma rrit atë skepticizmin se Fondi për Sigurime Shëndetësore nuk ka me pas sukses, sepse të njëjtit njerëz janë këta që kanë me e menaxhu këtë fond. Në këtë mënyrë të punës unë mund të them që nuk ka reformë në shëndetësi, me keqardhje mund të them nuk do të kemi sigurime shëndetësore shpejtë, me këta njerëz që ta kanë menaxhuar në mënyrën më të keqe të mundshme këtë fond për trajtim jashtë vendit nuk kemi me pas reformë në shëndetësi dhe prandaj unë ju ftoj të gjithëve që mos t’i gënjejmë qytetarët”, tha ai.

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, tha se raporti është i mirë por që sipas tij do të duhej të jepte përgjigje edhe për shumë fusha të tjera.

Disa nga çështjet që janë parashtruar nda deputetët, Dreshaj tha se uron se do të modifikohen në udhëzimin administrativ është rekomanduar nga Komisioni.

“Për shumë shërbime profesionale të trajtimit më lirë është trajtimi jashtë vendit me marrëveshje të veçantë sesa trajtimi në vend, pra janë sëmundje të rralla, të gjitha vendet e botës këtë e bëjnë. Do të ishte mirë që edhe ministria jonë të mendoj në drejtim të detektimit të partnerëve strategjik ku këto sëmundje do të trajtohen, do t’i del më lirë dhe do të ikin shumë procedura administrative të panevojshme”, tha ai.

Kuvendi i Kosovës më herët ka miratuar edhe rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të performancës “Efektiviteti i ndërlidhjes së arsimit dhe aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës”

Kuvendi ka shkuar në pauzë deri në ora 15:00./KSP

12:23

Mbi 50 për qind e të kualifikuarave nuk përputhen me nevojat e të tregut

Deputetët e Kuvendit me 74 vota për kanë miratuar rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të performancës “Efektiviteti i ndërlidhjes së arsimit dhe aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës”.

Në njërin prej rekomandimeve kërkohet nga qeveria shtim të buxhetit për aftësim profesional.

Në anën tjetër sipas disa studimeve që u prezantuan nga disa deputet gjatë diskutimit në vazhdimin e seancës së sotme, Kosova ka mbi 50 për qind të kualifikuar që nuk përputhen me nevojat e tregut.

Deputeti Eman Rrahmani në emër të Komisionit, ka arsyetuar rekomandimet, e që kërkohet nga Ministria e Arsimit në planin e ri-strategjik të arsimit në Kosovë të përgatit ri-organizimin e rrjetit të shkollave në nivel vendi duke marrë parasysh numrin e vogël të nxënësve dhe zvogëlimin e normave për mësimdhënësit me theks të veçantë në shkollat për aftësim profesional.

“Qeveria të rris buxhetin e dedikuar për arsim dhe aftësim profesional, të krijohet bazë ligjore për diversifikimin e mënyrës së financimit të shkollave profesionale për të krijuar mundësi për investime edhe nga sektori privat”, theksoi Rrahmani.

Ndërsa, deputeti Ardian Gola nga VV tha se sipas disa studimeve në Kosovë mos përputhja ndërmjet kualifikimeve profesionale edhe nevojave të tregut shkon diku rreth 53 për qind.

“Shumë vende të punës që para 10 vjetëve që janë qenë të kërkuara, sot as që ekzistojnë. Pra, kemi të bëjmë me një destabilzim radikal të strukturës së punësimit, e cila është mjaft vështirë të mirëmbahet në saje të këtij ritmi jashtëzakonisht të madh të zhvillimit teknologjik… Sipas disa studimeve në Kosovë, mos përputhja ndërmjet kualifikimeve profesionale edhe nevojave të tregut shkon diku rreth 53 për qind. Drejtimi i biznesit, administratës dhe juridikut ka mos përputhjen më të madhe. Rreth 9 mijë të kualifikuar dhe të diplomuar në këto drejtime janë komplet jashtë tregut të punës, ndërkohë që nevojat e tregut që lidhen me shkencat natyrore dhe aplikative vuan me deficit rreth 3 mijë e 176 kuadro të këtyre profileve.

Deputetja Eliza Hoxha nga PDK-ja theksoi se është inkurajues, por njëkohësisht edhe shpresëdhënës fakti që në rrethanat e krijuara pas tranzicionit nëpër të cilat ka kaluar shteti i Kosovës më në fund duket një dritë dhe një vëmendje që i kushtohet çdo ditë e më shumë nevojave të arsimit, por gjithsesi gjendja mbetet ende për të dëshiruar.

“Investimi i duhur në këtë sektor ka një rëndësi jetike për atë se ku jemi dhe ku dëshirojmë të arrijmë në të ardhmen dhe çfarë shoqërie duam ne si Kosovë. Meqenëse arsimi ka rëndësi thelbësore në përcaktimin e cilësisë dhe nivelit të zhvillimit të gjithmbarshëm socio-ekonomik të një vendi. Identifikimi dhe trajtimi i faktorëve të cilët kanë ndikuar që sistemi ynë arsimor të gjendet në stadin aktual të zhvillimit të tij nuk mund të shihet i ndarë nga dinamikat e ndryshimit të shpejt dhe në mënyrë të vazhdueshme të tregut të punës, i cili imponon rishikimin e politikave publike në fushën e arsimit të lartë në përgjithësi si dhe arsimit dhe aftësimit profesional në veçanti”, theksoi Hoxha.

Deputetja nga AAK Albena Reshitaj theksoi se kërkohet përkushtim më i madh në përmirësimin e sistemit arsimor, duke iu përshtatur nevojave të tregut të punës.

“Duhet punë dhe përkushtim i lartë në përmirësimin e sistemit arsimor në vend të cilin pandemia e ka rënduar edhe më tej. Nga shkollat nuk kërkohet më ri-prodhim apo zotërim i informacionit, sot shkollat kanë mision të përgatisin gjenerata e breza të rinj me shprehi për të kërkuar informacionin, për të operuar me të, për të analizuar dhe në mënyrë kritike për të aftësuar nxënësit që të jenë në gjendje të zgjidhin problemet dhe t’i konkretizojnë ato me rezultate”, thotë ajo.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar deputetët për veprimet që janë ndërmarr në raport me 7 rekomandimet të cilat janë adresuar që të gjitha nga MASHT.

“Në lidhje me rekomandimin e parë që ka qenë të finalizoi sa më shpejt që është e mundur rishikimin e kurrikulave të klasave të 11-ta dhe 12-ta, ju njoftoi se ky rekomandim është përmbushur në tërësi. Në lidhje me rekomandimin e dytë që ka pasur të bëjë me zbatimin e qasjes modulare dhe përgatitjen shkollave për të implementuar suksesshëm kurrikulat të cilat u folën, ju njoftoi se tashmë janë identifikuar dhe vlerësuar profilet... Po planifikojmë dhe punojmë edhe me bizneset dhe ndërmarrjet në mënyrë që të sigurohemi që arsimi dhe aftësimi profesional i plotëson kërkesat dhe nevojat e tregut të punës”, theksoi Nagavci./ksp

11:30

Haxhiu: Të gjithë studentëve t’u mundësohet paraqitja e provimeve

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka kërkuar nga Ministria e Arsimit që të bisedojë me Universitetin “Hasan Prishtina” në mënyrë që të gjithë studentëve t’u mundësohet paraqitja e provimeve.

Ai ka thënë se në semestrin e fundit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” të gjitha ligjëratat janë mbajtur online. E sipas tij, tani kur ka ardhur koha e paraqitjes së provimeve, UP-ja ka marrë vendim që ata që nuk kanë mundur të ndjekin 50 për qind të ligjëratave online të mos u lejohet paraqitja e provimeve dhe ta përsërisin vitin.

“Ka pasur studentë që nuk kanë pasur 5 euro për ta paguar internetin e të tillë që nuk kanë pasur as telefona të mençur e as laptopë. Me e përsërite vitin një student i tillë që nuk ka pasur kushte dhe mundësi është dëm i madh. Nuk kanë faj studentet pse ka ndodhur pandemia dhe pse mësimi është mbajtur online e nuk i kanë pasur kushtet. Përderisa, UP dhe Ministria e Arsimit nuk ka mbajtur takim me ta të shikojë se cili prej atyre studentëve që nuk kanë mundësi të ndjekin ligjërata online, tu paguhet interneti ose tu blihen pajisjet për ndjekjen e mësimit online. Është dëm i madh t’u humbet viti atyre. Kërkoj prej Ministres së Arsimit që të bisedojë me Universitetin ‘Hasan Prishtina’ që studentëve tu mundësohet paraqitja e provimeve”, ka shtuar ai.

Me 74 vota për janë miratuar rekomandime të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të performancës “Efektiviteti i ndërlidhjes së arsimit dhe aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës”.