Arbëri

Një drejtor në KPM ndalohet nën dyshimin për ryshfet

arrestim

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka ndaluar drejtorin e Administratës dhe Financave në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) nën dyshimin për ryshfet.

Sipas dyshimeve fillestare, A.B. dyshohet se ka marrë ryshfet në vlerë prej 8 mijë euro, me premtimin që do të ndikojë në mosndëshkimin e një subjekti biznesor, për një shkelje të pretenduar nga i dyshuari, gjoja se ky biznes ka shkelur rregullat e KPM-së.

I dyshuari, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, ndodhet nën masën e ndalimit prej 48-orësh.

Ndërkaq në një njoftim për media, KPM-ja ka thënë se është e gatshme të bashkëpunojë me organet e drejtësisë për rastin.

“Duke qenë të shqetësuar me këtë lajm, ftojmë institucionet e drejtësisë që të merren me rastin deri në zbardhjen e plotë, në mënyrë që të sqarohet edhe opinioni publik, por edhe ne brenda KPM-së. KPM shprehë gatishmërinë që të ofrojë bashkëpunim të plotë me organet e drejtësisë në mënyrë që të ndihmojë në zhvillimin e hetimeve deri në përfundim të rastit”, thuhet në njoftim.