Arbëri

Osmani: Regjimi i vizave për Kosovën i padrejtë, të rinjtë po ndihen si në kafaz

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se qytetarëve kosovarë po u bëhet padrejtësi e madhe që nuk po liberalizohen vizat.

Osmani në një intervistë për “Wiener Zeitung”, ka thënë se të rinjtë në Kosovë po ndjehen si të jenë në kafaz, dhe se BE-ja nuk e ka mbajtur fjalën për të liberalizuar vizat.

“Është plotësisht e padrejtë. Shumë të rinj po më tregojnë, se ndjehen sikur po jetojnë brenda një kafazi. Ky izolim në vitin 2021, në një kohë kur BE-ja është e hapur për shumë vende të largëta, është çmenduri. Ne jemi pjesë e kontinentit të Evropës, ne jemi evropianë. Duam të kemi pjesë. Kosova ka dy milionë banorë, BE-ja nuk ka pse të frikësohet nga migrimi masiv”, ka thënë Osmani.

Ajo ka shtuar se edhe hezitimi i Francës e Holandës nuk ka pse të jetë prezent, pasi që Kosova nuk gjenden në listën e 40 shteteve prej nga ka më së tepërmi migrim.

“Kishte problem në vitet 2014-2015, ku shumë njerëz udhëtuan në BE dhe donin të qëndronin atje. Por, shifra është ulur në mënyrë drastike. Kosova nuk është më në listën e 40 shteteve prej nga më së tepërmi vijnë migrantët”, ka thënë Osmani. “Ne kemi përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme për heqjen e vizave, më tepër se që duhej të plotësonin shtetet tjera. Është BE-ja që nuk e ka mbajtur premtimin dhe kjo ka zbehur besueshmërinë. Disa shtete anëtarë hezitojnë për arsyen e politikave të brendshme. Por, nuk ka arsye për të ndëshkuar kosovarët, që ndihen sikur janë në një geto politike. Kosova kurrë nuk ka shikuar ndonjë drejtim tjetër pos BE-së. Ne e shohim afrimin e BE-së si rrugë që duhet ndjekur”.

Osmani ka thënë se derisa Serbia po kërcënon BE-në duke përdorur kartën e afrimit me Rusinë, Kosova nuk luan lojë të tillë.

“Serbia po përpiqet të luajë lojë, duke e kërcënuar BE-në se do të lëvizë edhe më afër Rusisë. Bashkëpunimi politik, ekonomik dhe ushtarak tashmë është gjithnjë më i afërt, një shembull është stërvitja e përbashkët me Rusinë e Bjellorusinë. Ky nuk ishte asnjëherë orientimi ynë. Ne e vlerësojmë shumë BE-në, por ata që kërkojnë alternativa po i afrohem më tepër Bashkimit Evropian. Serbia ka përfituar nga regjimi pa viza për vite me radhë, si shumë vende tjera, nga të cilat migrojnë më shumë njerëz sesa nga Kosova”, tha Osmani.

Ajo ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi, i ndihmuar nga BE-ja. Ka thënë se Serbia duhet të vijë e përgatitur në dialog. Ndërsa sa i përket ndryshimit të kufijve ka thënë se nuk duhet të vijë në shprehje kjo.

“Kishte një takim të parë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Sidoqoftë, Serbia nuk kishte përgatitur ndonjë gjë dhe nuk kishte asnjë propozim, e këto janë të nevojshme nëse duam të ecim para. Nga ana tjetër Kosova ka bërë disa propozime të reja, si shembull mbi marrëdhëniet tregtare rajonale, të drejtat e pakicave ose pyetjet në lidhje me personat e zhdukur. Serbia mesa duket ka refuzuar çdo gjë. Por, nëse dëshiron një dialog të vërtetë, duhet të vijë në tryezën e negociatave e përgatitur dhe të mos përdorë procesin për një dramë të panevojshme. Serbia vetëm bllokoi”, tha Osmani. “Ne duhet të gjejmë mënyrë për të bashkëpunuar. Një kusht themelor për këtë është drejtësia për viktimat e luftës, deri më tash thuajse nuk ka ekzistuar fare. Shembull bëhet fjalë për sqarimin e fatit të njerëzve të zhdukur. Serbia e di se ku janë të varrosur ata, të gjitha informacionet gjenden në arkivat ushtarake. Ne duam që qytetarët tanë të kthehen. Këta u vranë në luftë, u rrëmbyen nga Serbia dhe u varrosën në varre masive. Serbia nuk mund të shtiret si pro-evropiane për sa kohë që flenë mbi varre masive”.