Arbëri

Qeveria Kurti projekton rritje ekonomike 7.9 %, ndryshe nga 5.2 % e Qeverisë Hoti

Qeveria Kurti

Qeveria e Kosovës ka miratuar ndryshime në buxhetin e vitit 2021, më të cilat parashihet rritje ekonomike shumë më e ndjeshme krahasuar me atë projektuar në fillimvit. Krahas projeksionit për rritje ekonomike prej 7.9 për qind, buxheti i rishikuar parasheh që të arkëtohen 155 milionë euro përtej planifikimit, si dhe të shpenzohen 62 milionë euro më shumë

Qeveria e Kurtit ka paraparë rritje më të ndjeshme ekonomike deri në fund të vitit, krahasuar me projeksionin e Qeverisë Hoti, të bërë gjashtë muaj më parë.

Në buxhetin e rishikuar, i cili është votuar në mbledhjen e Qeverisë, projeksioni i ri është mbështetur në treguesit kryesorë ekonomikë të evidentuar gjatë gjashtë muajve të shkuar. Indikatorët kanë të bëjnë kryesisht me performancën më të mirë të të hyrave, me numrin më të madh të bizneseve e me qarkullimin më të madh në kufi.

Hekuran Murati, ministër i Financave, ka folur për projeksionin e ri.

“Vlerësimet tona më të fundit sugjerojnë për një rimëkëmbje me rritje të ekonomisë për vitin 2021 në terma nominalë prej 7.9 për qind”, ka thënë ai.

Paralelisht projeksionit për rritje ekonomike 2.7 për qind më shumë, buxheti i rishikuar parasheh që të arkëtohen 155 milionë euro përtej planifikimit në fillimvit, si dhe të shpenzohen 62 milionë euro më shumë.

Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, nuk i është përgjigjur kërkesës për të folur mbi projeksionet e reja.

E, ministri i tashëm Murati i ka prezantuar me entuziazëm ato.

“Ky buxhet, këto shifra, me ligjin paraprak ishin paraparë të arriheshin tek në vitin 2023”, ka thënë ai. “Me këtë rishikim buxhetor, rezultatet e vitit 2023 ne po i arrijmë këtë vit, pra dy vjet më herët”.

Bazuar në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, por edhe të buxhetit të miratuar në gjashtë muaj më parë, tek në vitin 2023 parashiheshin të arkëtoheshin 2 miliardë e 97 milionë euro, diçka më pak sesa shuma e arkëtimit e paraparë me rishikim.

Qeveria e tashme ka paraparë që deri në fundvit të hyrat të jenë 2 miliardë e 43 milionë euro, e të shpenzohen 2 miliardë e 516 milionë euro.

Deficiti i lartë prej rreth gjysmë miliardi euro synohet të mbulohet kryesisht nëpërmjet borxhit të brendshëm dhe atij të jashtëm.

Megjithëkëtë, ministri Murati ka thënë se tek deficiti buxhetor ka ulje krahasuar me projeksionin.

“Deficiti në përputhje me rregullën e përkohshme fiskale, të kufirit të deficitit buxhetor, pritet të luhatet rreth 4.6 për qind e bruto prodhimit vendor në vitin 2021, nga 4.7 për qind që ishte paraparë fillimisht”, ka thënë ai.

Me gjithë pritjet për shtim të hyrash, jo të gjitha kërkesat e ministrave janë akomoduar në projekt-buxhetin e ri, që do t’i përcillet Kuvendit për miratim.

Ministri i Mbrojtjes kërkoi rreth 12 milionë euro për katër dronë, për të cilët janë zhvilluar negociata me një kompani amerikane dhe oferta për çmimin është e vlefshme vetëm deri këtë të shtunë. Ministrja e Arsimit kërkoi mjete për tekstet shkollore, e ministri i Bujqësisë shtroi nevojën për 15 milionë euro shtesë për shlyerje obligimesh ndaj fermerëve.

Ndonëse për dronët u shpreh pajtueshmëri që mjetet të sigurohen, kërkesat e tjera mund të marrin zgjidhje pas dy muajsh, nëse trendët shkojnë përtej parashikimeve të tashme.

Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë, tha se kërkesat mund të akomodohen në një rishikim të ri që potencialisht mund të ndodhë pas dy muajsh.

“Unë jam optimist që ecuria me të hyrat do të jetë përtej parashikimeve optimiste me të cilat ka ardhur z. Murati”, ka thënë Bislimi. “Në qoftë se kjo konfirmohet në fund të gushtit - në fillim të shtatorit, ministri do të jetë i detyruar të vijë me një rishikim të ri të rishikimit buxhetor, ku pastaj mund të shohim se në çfarë mase mund të akomodohen kërkesat e tjera”.

Në arsyetimin e ndryshimeve në buxhet, janë listuar dy prioritete kryesore: mposhtja e pandemisë nëpërmjet imunizimit masiv të popullatës, si dhe adresimi i rimëkëmbjes ekonomike, pasi të marrë fund pandemia.