Arbëri

Izetbegoviq: Kosova e Republika Srpska nuk mund të krahasohen

Kryetari i partisë kryesore boshnjake në Bosnjë-Hercegovinë, SDA, Bakir Izetbegoviq, ka thënë se Serbia ka dëshmuar se nuk ka të drejtë të qeverisë me Kosovën.

Izetbegoviq, ish-anëtar i Presidencës 3-anëtarëshe të Bosnjës, po ashtu ka thënë se Republika Srpska dhe Kosova nuk mund të krahasohen.

Sipas tij, përcjellin mediat serbe, këtë e di mirë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por nuk e thotë.

“Shteti i Serbisë e ka dëshmuar se nuk ka asnjë të drejtë të qeverisë me Kosovën. Këtë ia ka bërë vetes. Kosova ishte rajon autonom, derisa Republika Srpska është një prej entiteteve në Bosnjë falë Kushtetutës, që nesër mund të ndërrohet. Këto dyja nuk mund të krahasohen”, ka thënë Izetbegoviq, i biri i presidentit të parë e të vetëm të Bosnjës, Alija Izetbegoviq.

Bosnja nuk ka president, por ka Presidencë 3-anëtarëshe, ku përfshihen përfaqësuesit e boshnjakëve, serbëve e kroatëve. Kryesuesit ndërrohen çdo 18 muaj. Aktualisht, kryesues është përfaqësuesi serb, Milorad Dodik, që hapur punon për pavarësinë e Republika Srpskas dhe kundër pavarësisë së Kosovës.