Arbëri

Kurti: Me Serbinë diskutojmë për statusin e marrëdhënieve tona, jo për statusin e Kosovës

Descriptive Text

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se me Serbinë do të diskutohet për statusin e marrëdhënieve mes dy vendeve, e jo për statusin e Kosovës.

Kurti në një intervistë për transmetuesin publik, pas takimit me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Paris, tha se Kosova është e gatshme të vazhdojë ne dialogun konstruktiv.

“Diskutuan për situatën në rajon, për dialogun. Serbia kërkon të dijë se çfarë mund të japim ne me për njohjen e saj, por duhet të mos e evitojmë elefantin në dhomë, e që është njohja reciproke. I përket Beogradit se kur do ta bëjë këtë. Pavarësia e Kosovës, integriteti saj territirorial, sovraniteti shtetëror, funksionimi - nuk janë të diskutueshme. Me Serbinë jemi të gatshëm të diskutojmë për statusin e marrëdhënieve tona, jo për statusin e Kosovës. Ai është zgjedhur para 13 vjetëve, kurse para 11 vjetëve ka përfunduar edhe me opinionin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka thënë Kurti.

Ai ka folur edhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, e ku Franca bashkë me Holandën janë kundërshtarët më të mëdha. Kurti tha se nuk ka marrë premtim nga Macroni se kjo situatë do të ndryshojë.

“Sigurisht se qytetarët e Kosovës janë të interesuar për liberalizim të vizave, është e padrejtë që Kosova pas plotësimit të gjitha kritereve, ende nuk është hequr regjimi i vizave. Më 18 korrik të këtij viti bëhen tri vjet që prej Komisioni Evropian ka thënë se duhet hequr vizat. Në vizitën tonë kjo çështje është trajtuar. Unë jam i bindur që ata e kanë marrë mesazhin tonë. Nuk ka zotim nga ana e tyre që do të ketë heqje të regjimit të vizave. Gjatë këtyre muajve kemi luftuar korrupsionin e krimin e organizuar, trafiqet, luftim të suksesshëm të trafiqeve në bashkëpunim me Italinë, Shqipërinë e SHBA-në. Ka rënë drastikisht numri i migrimeve. Mund të shpresojmë që sado pak kjo vizitë të ndihmojë që Franca të lë anash skepticizmin e saj. Nuk morëm premtim në këtë aspekt. Duhet të punojmë edhe me Holandën, shpresojmë se nuk ka edhe vende tjera. Por fund të fundit, ne duhet të forcojmë shtëpinë tonë, shtetin tonë, shpresoj që edhe miqtë që kemi në BE të na ndihmojmë që të marrë fund kjo padrejtësi ndaj qytetarëve tanë”, ka thënë Kurti.