Arbëri

Hoxha: 70% e punimit të Bujar Dugollit e Ardian Kastratit është plagjiaturë

Dibran Hoxha, koordinator në Organizatën për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka thënë se deri të zbulimi se punimi i profesorëve universitarë Bujar Dugolli e Ardian Kastrati është plagjiaturë, ka ardhur pas një denoncimi anonim që ka shkuar në adresë të tyre.

Hoxha ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së, se me të marrë këtë informatë, e kanë bërë detektimin e punimit përmes platformes ndërkombëtare anti-plagjiaturë Turnitin, dhe ka dalë se punimi është 70% plagjiaturë.

“Në fillim të këtij viti kemi pranuar një denoncim anonim ku tregohej se një punim i Ardian Kastratit dhe Bujar Dugollit kanë elemente të plagjiaturës. Me të marrë këtë informim kemi shikuar për ta konfirmuar dhe ka dalë se 70% e punimit është i ngjashëm me burime të tjera. Burimi dhe sasia e ngjashmërisë nuk do të thotë domosdo që ka plagjiaturë, nëse ka referenca. Mirëpo shumica e tekstit të këtyre profesorëve universitarë është kopjim pa referencim, pa kurrfarë citimi në tekst. Po flasim për një punim që është 8 faqesh. Pjesa e hijezuar me të verdhë edhe komplet kopjim pa kurrfarë reference”, ka thënë Hoxha.

Sipas tij, këto punime u kanë shërbyer atyre për tu avancuar në grada akademike në Universitetin e Prishtinës.