4 perditesime
21:54

Kiqina: PDK-ja duhet ta mendojë si ta kalojë sfidën në Drenas

Nënkryetari i degës së PDK-së në Drenas, Muhamet Kiqina, ka thënë se shpreson që partia ta mendojë se si të kalohet sfida e krijuar në këtë komunë.

Dega e PDK-së në Drenas propozoi Driton Ajazin për të kandiduar për kryetar të Drenasit, ndërsa kryesia e partisë ka kandiduar kryetarin aktual Ramiz Lladrovcin.

“Partia duhet të mendojë për tejkalimin e situatës që është krijuar në Drenas. I kemi bërë me kohë të qartë kritikat tona që kemi me qeverisjen aktuale që po qeverisë qe pesë vjet. Kryetari aktual duhet t’i jetë falënderues PDK-së sepse elektorati i PDK-së, strukturat e PDK-së e kanë bërë kryetar të Drenasit. Pa mbështetje të strukturave e elektoratit të PDK-së nuk do të ishte aty. E ka provuar në parti tjera. E ka pa sa fuqi elektorale ka. Partia duhet të mendojë të kalojë këtë sfidë. I kemi bërë të qarta pozicionet tona. Nuk kemi interesa puro personale. Por interesi jonë si struktura si struktura të PDK-së është që Dega e PDK-së në Drenas, qytetarët e Drenasit të kenë një kandidat dinjitoz, që punon në shërbimin e qytetarëve të Drenasit. Unë nuk shoh rrezik për humbje të PDK-së nëse z. Lladrovci del kandidat i pavarur. Por shoh fitore të thellë të PDK-së pa balotazh. Si struktura të PDK-së jemi të bindur se me z. Driton Ajazi do të fitojmë pa balotazh e me fitore shumë të thellë, ndoshta vetëm Nexhat Demaku ka shënuar fitore të tillë”, ka thënë Kiqina në Desk të KOHËS.

21:08

Mustafa: PDK-ja është dashur të shmangë turbulencat para zgjedhjeve lokale

Kryetari i degës së PDK-së në Gjilan, Qemajl Mustafa, ka thënë se PDK-ja është dashur të shmangë turbulencat para zgjedhjeve lokale që do të organizohen më 17 tetor.

Ai ka thënë se nëse synimi i Konventës të PDK-së është të konfirmohet një kryetar, atëherë kjo është jodemokratike, e nëse është garë atëherë do të shkaktojë turbulenca para zgjedhjeve lokale.

“Nuk do të duhej absolutisht PDK-ja me ju hy këtyre sfidave dhe me kriju turbulenca të reja. Është kriju një periudhë qetësie pas goditjeve të shumta, pas rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2019 dhe pas rezultatit të 14 shkurtit të këtij viti, e pas ikjes në Hagë të dy liderëve të PDK-së. Kanë qenë goditje të rënda. Është kriju periudhë qetësie, pas shkuarjes së liderëve në Hagë. Profesori Enver Hoxhaj, jo ndoshta që e ka udhëheq më së miri PDK-në, por ka ekuilibruar jashtëzakonisht mirë me shumicën e problemve. Nuk duhej të ngacmohej kjo situatë, sidomos tre muaj ditë para një procesi zgjedhor. Problemi është kjo. Nëse ka marrëveshje me konfirmu dikë atëherë është jodemokratike, e nëse ka konkurrencë ajo patjetër shkakton turbulenca brenda partisë. Dhe unë dyshoj se ato turbulenca, ambicie të grupeve e të individëve, mund të sanohen lehtë deri te zgjedhjet lokale. Nuk i kemi mirë degët. Kemi probleme në bazë siç thamë. Jo te të gjitha degët. Disa degë janë relativisht mirë, disa degë mesatarisht mirë, por ka plotë degë që nuk janë aspak mirë. Gjilani është shumë keq, pak më mirë është Vitia por jo mirë, Kamenica nuk është mirë. Krejt ajo anë nuk është mirë. Ka plotë degë të PDK-së nga 30 sa i kemi, që nuk funksionojnë mirë”, ka thënë Mustafa në Desk të KOHËS.

20:43

Kiqina: Lladrovci nuk është pjesë e strukturave të PDK-së, është kandidat i vetëshpallur për kryetar

Nënkryetari i Degës së PDK-së në Drenas, Muhamet Kiqina, ka deklaruar se PDK-ja në Drenas nuk e ka dashur kryetarin aktual, Ramiz Lladrovci për rikandidim për këtë pozitë, pasi siç ka thënë, ai nuk është pjesë e strukturave të partisë as në nivel të degës e as në nivel qendror.

Kiqina ka thënë se Lladrovci është kandidat i vetëshpallur për kryetar dhe se këtë gjë e ka bërë qysh në fillim të këtij viti.

“Ne kemi vendosur që të kthejmë me të vërtetë qeverisjen tek qytetari dhe kryetari të mos jetë një lloj autoriteti që ta ketë mirë vetëm me qendrën por të jetë kryetar i qytetarëve të Drenasit dhe i strukturave që e mbështesin, sepse me kryetarin aktual, strukturat e PDK-së kanë qenë më të luftuara se sa të cilitdo subjekt tjetër. Sot në Drenas më mirë është të jesh përfaqësues i cilitdo subjekt tjetër sesa i PDK-së. Ne si degë i kemi marrë opinionet e shumë strukturave dhe kemi dalë me propozim konkret. Ne nuk jemi pro një kandidati i cili nuk është pjesë e asnjë strukture të PDK-së në nivel qendror. Nuk është pjesë e asnjë mekanizmi vendimmarrës të degës apo e nivelit qendror", ka thënë Kiqina.

Ai ka shtuar se pjesëmarrësit e degës së PDK-së janë shantazhuar nga Lladrovci pasi të gjithë pjesëmarrësit e degës kanë qenë që kandidat i partisë për kryetar të PDK-së në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, të jetë Driton Ajazi.

“Ne e dimë se zotëri Lladrovci në çfarë forme e ka shpallur kandidaturën e vet për mandatin e dytë. Nëse dikush është i vetë-shpallur është kryetari aktual”, ka shtuar Kiqina. 

20:36

Çelaj: Konventa e PDK-së, sa për sy e faqe

Lirak Çelaj, anëtar i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratikë të Kosovës (PDK), ka thënë se konventa e paralajmëruar për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë është sa për sy e faqe.

Çelaj në një intervistë në Deskun e KOHËS, tha se nuk është as momenti e as forma e duhur për këtë konventë.

“Unë kam reaguar edhe para dy vjetëve me një letër, edhe kam vazhduar me qene ai zë kritik. Konventa mendoj se po bëhet sa për sy e faqe, nuk mendoj që është në kohën e formën e duhur. Mendoj që partia ka nevojë për reformë më të thellë, nuk është në pyetje vetëm një kandidat për kryetar. Unë nuk mendoj që një subjekt politik, aq më pak PDK-ja duhet të mbështetet kryekëput në një lider, kushdo qoftë. Duhet të përfillet zëri i bazës. Pikërisht pse ka pasur shkëputje të tillë, ka ndodh kjo pakënaqësi. U pat bërë normale që në qendër të thuhet se ky duhet me qene kandidat, ky bën, ky s’bën, edhe normalisht strukturat irritoheshin”, ka thënë Çelaj.

Ai ka folur edhe për vendimin për mbajtjen e konventës.

“Nuk është faji i vetëm z. Enver Hoxhaj për rezultatin e zgjedhjeve. Është i një grupi më të gjerë që ka marrë vendimet. Këtë rast po i bie, ta them kushtimisht, mungesa e kryetarit ka qenë fajtor, hajt tash ta zgjedhim tjetrin e të shpërlajmë veten. Personalisht kam pak pengesë morale, po e diskutojnë vazhdimisht me vetveten. Nuk po më duket veprim i mirë, në kohën kur z. Kadri Veseli është në Hagë e ne në njëfarë mënyre po e braktisim atë. Së paku në mënyrë simbolike duhej ta ruanim atë. Pajtohem, cilido ushtrues detyre të ketë kompetenca komplet të kryetarit, mos ta kontestojmë. Por kjo heqja dorë, unë moralisht po ndihem keq pse po merret një vendim i tillë”, tha Çelaj.

20:25

Mustafa: PDK-ja nuk mund të pastrohet duke më hequr mua nga lista

Kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan, Qemajl Mustafa, ka thënë se PDK-ja po insiston se do të pastrohet nga njerëzit që kanë aktakuza duke i hequr nga listat zgjedhore, në mesin e të cilëve është edhe ai.

Mirëpo Mustafa ka thënë se PDK-ja nuk mund ta pastrohet duke e hequr atë nga lista, pasi siç ka thënë ai ndihet i pastër dhe ende nuk ka vendim të Gjykatës në procesin ndaj tij.

“Unë e kam një aktakuzë e cila amshueshëm më mban pezull që pesë vite dhe kurrë nuk e merr fundin, dhe lidershipi menduan që përmes Qemajl Mustafës mund ta pastrojnë listën e PDK-së, por nuk munden ta pastrojnë partinë përmes meje sepse unë ndjehem dhe jam i pastër por edhe Gjykata nuk ka pru ende një vendim”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, PDK-ja ka nevojë ta ndërrojë projektin e vet karshi shtetit të Kosovës dhe rrjedhave të funksionimit të shtetit.

Mustafa ka thënë në “Desku” të KTV-së se ai edhe pse është pjesë e kryesisë së PDK-së, nuk merr pjesë në takimet e saj pasi, siç ka thënë, nuk po arrin të artikulohet aty.

“PDK-ja po e kalon një periudhë aspak të mirë, është një periudhë kur asaj më së shumti i duhet solidaritet, disiplinë e brendshme, debat i brendshëm, sepse PDK-ja ka dy fronte të mëdha të punës, e ka frontin e brendshëm dhe frontin e jashtëm, kauzën, projektin, duhet ta ndërrojë projektin e vet PDK-ja karshi shtetit të Kosovës dhe rrjedhjeve. Është një periudhë jo e mirë, unë që një kohë nuk shkoj në takimet e kryesisë pasi nuk kam parë që mund të artikulohem aty pasi shpesh kryesia merr vendim kundër asaj qe marrim në degë të partisë dhe po krijohet një diskrepancë mes asaj se çka mendohet në terren dhe në qendër”, është shprehur ai.

PDK-ja do të mbajë Konventën e radhës të partisë më 3 korrik të këtij viti, ku përveç kryetarit do të zgjidhen edhe strukturat e tjera drejtuese.