Arbëri

Rama: Paradoksi i madh - zyrtarisht jemi në luftë me Greqinë

Në konferencën e përbashkët në kuadër të Forumin Ekonomik, që është mbajtur të mërkurën në Shkup me kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama foli edhe për ligjin e luftës me Greqinë, për të cilin tha se ky është një fakt absurd.

“Sa i përket çështjes së ligjit të luftës, ky është një prej paradokseve të mëdha, sepse zyrtarisht ne jemi në luftë me Greqinë. E imagjinon? Shpresoj që qeveria greke do ta heqë këtë, pasi vërtetë është diçka që tregon se kemi mbetur ende mbrapa njerëzve dhe nënshkrimi i Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Sigurisë dhe Fqinjësisë së Mirë në 1996-n sigurisht që ishte shprehje e realitetit, por imagjinoni, jemi në një marrëdhënie ku na duhet të jemi fqinjë shumë të mirë, por na duhet të jemi dhe në luftë me njëri-tjetrin. Dashuri tipike ballkanike. Por mendoj se duhet ta heqim këtë, pra, të mos duhemi e të urrehemi në të njëjtën kohë”, tha Edi Rama. Ndërsa lidhur me çështjen e kufirit detar me Greqinë, që pritet të shqyrtohet në arbitrazh, Rama tha se dy vendet janë të interesuara për të gjetur zgjidhje.

“Ne jemi popull ballkanik dhe udhëhiqemi nga ndjenjat, prandaj kemi nevojë për një vëzhgues ndërkombëtar”, deklaroi Rama.