Arbëri

“Vaksinimi masiv” në komuna

Derisa temperaturat në Kosovë këtë të mërkurë shkonin mbi 34 gradë Celsius, në qendrën e vetme ku kryhet vaksinimi në Lipjan nuk funksiononin kondicionerët. Ndonëse kjo qendër është vetëm rreth 20 kilometra larg nga kryeqyteti, kushtet për vaksinim dallonin shumë nga ato në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

Përveç kushteve jo të duhura, qytetarët e kësaj komune janë ankuar se me gjithë aplikimin online, ata nuk i kishte telefonuar askush.

Nexhmi Shabani, i cili ishte ndër të paktit persona që të mërkurën priste për t’u vaksinuar në Lipjan, ka treguar se tash e dy muaj kishte aplikuar në platformën e-Kosova.

“Unë kam aplikuar para dy muajsh se jam me sëmundje kronike, por prita deri sot. Askush s’më thirri se po thonë shkaku i moshës, e sot u çova erdha direkt dhe e mora tash”, ka thënë ai.

E, sipas përgjegjësve të kësaj qendre, vaksinimi është duke shkuar në rregull dhe se Ministria e Shëndetësisë u dërgon çdo ditë listat me terminët e caktuar.

Izer Sinani, përgjegjës i vaksinimit në këtë komunë, ka thënë se është duke shkuar me vaksinimin e grupeve të caktuara nga Ministria e Shëndetësisë.

“Ne jemi duke e bërë vaksinimin sipas platformës e-Kosova. Një herë i kemi pleq 68, 65 vjeç; pastaj pjesëtaret e Policisë, FSK-së, punëtoret shëndetësorë, e së fundi e kemi edhe njoftimin për vaksinimin e mësimdhënësve”, ka thënë ai.

Pak qytetarë ishin duke pritur për t’u imunizuar kundër COVID-19 edhe në Komunën e Shtimes.

Fahrie Maksuti, kryeinfermiere në QKMF-në në Shtime, e ka vlerësuar të rregullt procesin, duke shtuar se deri më tani nuk kanë hasur në ndonjë problem.

“Personat mbi moshën 65 vjeç këtu në Komunën e Shtimes janë të vaksinuar. Tash i kemi infermierët, të cilët shumica janë vaksinuar; e kemi policinë që është vaksinuar dhe kemi mësimdhënësit që tash kanë filluar për t’u vaksinuar”, ka thënë ajo.

Që nga 15 qershori, datë kur Ministria e Shëndetësisë kishte paralajmëruar nisjen e vaksinimit masiv, shumica e qendrave të vaksinimit kanë kaluar në salla sportive. E tillë është edhe qendra e vaksinimit në Fushë-Kosovë, e cila është bartur në një sallë sporti në Miradi të Poshtme. Por edhe këtu salla ishte bosh, për shkak se numri i qytetarëve që vinin për t’u vaksinuar ishte i pakët.

Sipas përgjegjëses së kësaj qendre, Fitnete Simnica-Ferizi, kjo po ndodh edhe për shkak të temperaturave të larta të këtyre ditëve.

“Interesimi është mjaft i madh, por me këtë organizim me platformën e-Kosova janë lehtësuar punët, kemi një rregull dhe s’ka tollovi për pacientët. Koha e pritjes për të marrë vaksinën është shumë e shkurtër dhe procesi është duke shkuar në rregull”, ka thënë ajo.

Ndonëse në Planin e veprimit për vaksinimin në masë Ministria e Shëndetësisë planifikon vaksinimin e 500 mijë personave në muaj, deri tash më shumë se rreth 8 mijë persona nuk kanë arritur të vaksinohen në ditë.

Në Kosovë deri tash janë vaksinuar rreth mbi 140 mijë persona.