Arbëri

Radosavljeviq: Serbia e ka mbytur pluralizmin politik te serbët e Kosovës

Në tryezën e organizuar në “Qendrën Mediale” në Çagllavicë është thënë se presioni politik e ekonomik i Serbisë po bën që komuniteti serb të mos integrohet në sistemin e Kosovës. Sipas tyre, partitë dhe përfaqësuesit politikë serbë nuk po mund të funksionojnë pa direktivat e Qeverisë së Serbisë

Serbia e ka mbytur pluralizmin politik në mesin e serbëve të Kosovës. Kështu është thënë në tryezën e organizuar në “Qendrën Mediale” në Çagllavicë, ku u diskutua për mënyrën e funksionimit të partive politike serbe dhe pengesat në demokratizimin e tyre.

Mungesa e pluralizmit politik po shihet të jetë reflektim i gjendjes politike në Beograd, kanë thënë pjesëmarrësit.

“Politikanët serbë në Kosovë funksionojnë nën “syrin” e Beogradit, dhe kryesisht edhe hyrjet në politikë janë të mbështetura nga Beogradi dhe në përgjithësi në Kosovë kemi reflektimin e gjendjes politike të Serbisë”, ka thënë Jovana Radosavljeviq nga “Nisma e re Sociale”.

Arsye tjetër për mosintegrimin e komunitetit serb në sistemin e Kosovës është edhe varësia ekonomike. Qeveria e Beogradit investon shuma të mëdha të hollash për t’i mbajtur nën kontroll serbët e Kosovës. Në raportin e publikuar thuhet se vetëm për funksionalizimin e së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën janë ndarë rreth 67 milionë euro nga buxheti i Serbisë.

“Serbët e Kosovës varen ekonomikisht nga Beogradi dhe kjo bart me vete varshmërinë ekonomike dhe politike. Serbia investon shumë më shumë te serbët e Kosovës, më shumë se vetë Qeveria e Kosovës dhe komuniteti ndërkombëtar”, ka thënë Radosavljeviq.

Presioni nga Serbia, si dhe pamundësia për t’i bërë konkurrencë Listës Serbe, janë arsye që nga komuniteti serb nuk ka ndonjë iniciativë për të formuar parti të reja politike, të pandikuara nga shteti serb.

“Është e pashmangshme, diçka e tillë ekziston në terren. Por ajo që më pengon më së shumti në këtë aspekt është se njerëzit shumë shpesh e keqpërdorin këtë. Absolutisht ka presion, mund të ketë edhe këso lloj problemesh. Por nga ana tjetër njerëzit shohin konkurrencën dhe janë koshient që nuk do mund të bënin ndonjë gjë”, ka deklaruar Ivan Nikoliq nga Qendra për zhvillimin e Shoqërisë.

Shpëtim Gashi nga “Qendra për qeverisje gjithëpërfshirëse”, duke aluduar në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se nëse konflikti mes Beogradit dhe Prishtinës nuk zgjidhet, atëherë demokracia nuk do të jetë prioritet për komunitetin serb në Kosovë.