2 perditesime
14:21

Lejohen ahengjet dhe mbrëmjet e maturës

Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja anti-COVID, duke lejuar mbajtjen e ahengjeve si dasmat, fejesat dhe mbrëmjet e maturës deri në orën 23:00. Qeveri bën me dije se muzika lejohet deri në orën 22:45.

"Organizimi i dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës, është i lejuar me kusht që të shfrytëzohet 30 për qind e kapacitetit të hapësirës(30 persona për 100m2), por jo më shumë se 200 të ftuar në rastet kur 30 për qind e kapacitetit të hapësirës tejkalon këtë numër", thuhet në njoftim.

14:16

Miratohen masat e reja anti-COVID, Vitia s’tregon cilat janë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se në bazë të raportit të fundit nga Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik, situata me koronavirusin është e qëndrueshme, me uljen e rasteve pozitive. Në mbledhjen e Qeverisë është miratuar propozimi për lehtësimin e masave, mirëpo ministri Vitia nuk i ka treguar se cilat janë ato.

“Lehtësimi i masave është duke u bërë me raport. Më tej objektiva për parandalimin e përhapjes së COVID-19, moscenimi i aktiviteteve ekonomike dhe ruajtja e shëndetit mendor. Masat shërbejnë që situata të mbahet nën kontroll”, ka thënë ai.

Vitia ka njoftuar se vlerësimi i situatës do të bëhet pas dy javëve.

12:58

Qeveria shqyrton masat anti-COVID

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar të mbajë mbledhje në orën 13:00. Në rendin e ditës siç mëson KOHA, nga 28 pika, do të diskutohet edhe shqyrtimi i propozim-vendimit për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Masat e fundit anti-COVID ishin marrë në maj të këtij viti.

Drejtori i departamentit të estradës në kuadër të Odës së Hotelierës së Kosovës, Afrim Muqiqi në programin e mëngjesit “Sot” ka thënë se Qeveria e Kosovës sot pritet të miratojë manualin për mbajtjen e dasmave.

Sipas Muqiqit, manuali parasheh që dasmat do të mundësojnë marrjen pjesë brenda një sallë deri në 200 persona dhe 8 persona brenda një tavoline.