Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se gjatë kësaj jave do të mbaj mot i nxehtë, ku temperaturat minimale pritet të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë Celsius, ndërsa ato maksimalet ndërmjet 29-35 gradë.
Sipas IHMK-së, kjo situatë meteorologjike dhe këto masa të nxehta kanë origjinën nga Afrika Veriore.
“Riga shiu parashihen ditën e hënë dhe të premten, ndërsa ditët tjera do të jenë me intervale të gjata me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-18 Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 29-35 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga verilindja dhe juglindja me shpejtësi 1-6 m/s”, thuhet në njoftim.