Arbëri

Hallakama në Radiologji - U kryen 16 mijë CT, veç rreth 4 mijë në mënyrë të rregullt

Shpërputhje të mëdha ka ndërmjet pacientëve që hyjnë në mënyrë të rregullt në QKUK dhe atyre që kryejnë shërbime diagnostikuese.

Mijëra pacientë brenda vitit kryejnë këto shërbime, pa përfillur radhë e pa u regjistruar askund. Një gjë e tillë në veçanti është evidencuar në një raport të brendshëm të SHSKUK-së, që theksin e ka vënë te Klinika e Radiologjisë.

Shërbimi me më se shumti shpërputhje është ai i kryerjes së CT-ve.

Vetëm rreth 25 për qind e CT-ve bëhen përmes protokollit.

Në Klinikën e Radiologjisë në QKUK, prej datës 01.01.2021 deri më 31.12.2020, në tomografi të kompjuterizuar – CT – janë kryer 16.176 ekzaminime sipas librit në sallën ku kryhet ekzaminimi, ndërsa sipas protokollit të dhënies së rezultateve janë evidencuar 3910 raste. Diferenca në mes të librit të ekzaminimeve në sallë dhe protokollit të daljes së rezultateve është 12, 266 ekzaminime, këto raste janë ato të cilat nuk kalojnë fare përmes protokollit.

Ngjashëm ka ndodhur edhe më shërbimin e rezonancës magnetike. Përderisa janë kryer 11 mijë e 368 ekzaminime, në protokollin e dhënies së rezultateve janë rreth 6 mijë raste.

Një gjë e tillë, sipas raportit, mund të bëhet për motive keqpërdorimi.

Numri prej 5.145 ekzaminimeve në tomografinë e kompjuterizuar dhe 9.906 ekzaminimeve në rezonancë magnetike, rezultatet e të cilave nuk kanë kaluar përmes librit të protokollit, paraqesin rrezik për keqpërdorim të pajisjeve dhe rrezik për humbje materiale.

Për këto shërbime qytetarët duhet të paguajnë një pjesë të shumës, përveç disa kategorive të liruara.

Por, përqindja e pagesës së qytetarëve është shumë e vogël. Vetëm rreth 3 për qind të qytetarëve kanë paguar për CT.

Nga 16.176 ekzaminime për tomografi të kompjuterizuar, në Klinikën e Radiologjisë participim ka pasur vetëm në 531 apo shprehur në përqindje 3.29 për qind.

Ngjashëm ka ndodhur edhe me rezonancën magnetike.

Nga 11 mijë e 358 ekzaminime të rezonancës magnetike në Klinikën e Radiologjisë, 1452 raste apo shprehur në përqindje 12.79% kanë participuar.

Raporti ka edhe të dhëna të tjera në lidhje me mospërputhjen e shifrave në këtë klinikë.

Në QKUK pacientët presin me muaj, e për disa shërbime edhe me vjet, për shkak të kapaciteteve të mangëta. Në anën tjetër, nuk është e qartë se si i kanë kryer qytetarët këto shërbime pa u regjistruar.

Një nga klinikat që ka lista të pritjes është edhe Radiologjia.