Arbëri

Marketingu i bizneseve përmes mesazheve telefonike cenon privatësinë e qytetarëve

Shkelje e privatësisë po konsiderohet marketingu i bizneseve nëpërmjet numrave të telefonit. Ndonëse operatorët telefonikë shprehen se nuk i shpalosin të dhënat e klientëve të tyre me kompani apo biznese të ndryshme, ekspertët kibernetikë ngrehin dyshime se është e kundërta, pasi është mënyra kryesore e sigurimit të numrave. Agjencia për Informim dhe Privatësi nuk e ka komentuar këtë çështje

Mesazhet e kompanive të biznesit me oferta të ndryshme, nëpërmjet numrave të telefonit, së fundmi janë bërë shqetësuese për qytetarët.

Kjo formë e marketingut të drejtpërdrejtë po konsiderohet shkelje e privatësisë. Ndonëse shpeshherë pa ndonjë komunikim paraprak me këto biznese, qytetarët theksojnë se po pranojnë mesazhe të shumta marketingu, në të cilat jo rrallë u referohen edhe me emër e mbiemër.

Kësisoj ata kanë ngritur shqetësime se si numrat e tyre të telefonit po keqpërdoren dhe po arrijnë deri te operatorët ekonomikë për reklamim. Operatorët telefonikë mohojnë të kenë shpërndarë numrat e klientëve të tyre te kompanitë apo bizneset, përderisa ekspertët e sigurisë kibernetike dyshojnë se pikërisht ata janë ndër shpërndarësit kryesorë. Eksperti i Sigurisë Kibernetike, Mentor Hoxhaj, thotë se marketingu i tillë e cenon privatësinë e qytetarëve dhe nuk guxon të bëhet pa pëlqimin e tyre.

“Të gjithë ata që synojnë apo bëjnë marketing të drejtpërdrejtë duhet të marrin pëlqimin për të gjitha subjektet për të cilat dëshirojnë të bëjnë marketing, që do të thotë se nëse dëshiron t’i drejtojë një mesazh reklamues personit, duhet të ketë pëlqimin e atij personi”, ka thënë ai.

Në një përgjigje për KOHËN nga Vala dhe Telekomi i Kosovës kanë thënë se në asnjë rast nuk i shpalosin të dhënat e klientëve me operatorët ekonomikë, pasi, sipas tyre, përbën vepër penale.

“Çdo keqpërdorim ka masa ndëshkuese për personin i cili ka bërë keqpërdorimin, udhëheqësin e tij, si dhe masat ndëshkuese për organizatën, të cilat mund të shkojnë deri në 4% të qarkullimit të përgjithshëm vjetor. Në bazë të kësaj mund të themi se Telekomit të Kosovës, përpos të tjerash, në asnjë rast nuk i leverdis që të bëjë shpërndarjen e të dhënave të klientëve”, thuhet në përgjigjen e Telekomit.

Edhe nga operatori i telefonisë mobile IPKO kanë deklaruar se të dhënat e klientëve të tyre nuk i ndajnë me ndonjë biznes.

“Të dhënat e klientëve ruhen në përputhje me ligjet e aplikueshme në Kosovë. IPKO vendos vetëm lidhjen ndërmjet kompanive dhe përdoruesve, siç është përgjegjësia jonë si kompani e telekomunikimit. Përgjegjësia ligjore për marrjen e pëlqimit nga klientët bie mbi kompaninë që po dërgon SMS-e promovuese. Kompania jonë nuk ndan të dhënat personale të klientit me ndonjë biznes/kompani, siç janë numri i telefonit apo të dhëna të tjera”, thuhet në përgjigjen e IPKO-s.

Megjithatë, Hoxhaj ka treguar disa mënyra se si sigurohen këto të dhëna nga bizneset, mes të tjerash, duke implikuar edhe operatorët telefonikë.

“Këto krijohen normalisht gjatë lojërave të ndryshme shpërblyese të cilat janë në numër jashtëzakonisht të madh në tregun tonë kosovar. Ka pasur dyshime që këto databaza krijohen edhe nga operatorët e telefonisë mobile dhe më pastaj shiten, por këto janë vetëm dyshime të cilat ne nuk kemi arritur t’i faktojmë a janë të vërteta apo jo”, tha ai.

Lidhur me këtë çështje KOHA ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga Agjencia për Informim dhe Privatësi nëse ka shqyrtuar ankesa të tilla dhe nëse ka marrë masa ndaj operatorëve ekonomikë apo telefonikë, por askush nuk është deklaruar.