Kryeministri Albin Kurti ka vizituar Komisionin qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Së bashku me deputeten Vasfije Krasniqi-Goodman dhe zëdhënësen Rozafa Kelmendi, Kurti ka thënë se viktimat janë viktimizuar pasluftës nga stigma dhe mosintervenimi institucional.
“Ne nuk mund ta imagjinojmë tmerrin që kanë përjetuar personat që i kanë mbijetuar dhunës seksuale gjatë luftës, pasuar me ndrydhjen e pasluftës. Janë viktimizuar sërish nga stigma dhe mos intervenimi institucional për të trajtuar këtë krim të kryer gjatë luftës në Kosovë, këtë armë lufte të përdorur nga okupatori,” tha kryeministri Kurti në Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt.
Ai ka thënë se përgjegjësia institucionale dhe vetëdijësimi shoqëror mund të sjellë rezultate për të tejkaluar sfidat dhe nxitur aplikimin për realizimin e së drejtës së garantuar me ligj.